Shkup, 22 korrik, Zhurnal.mk – Ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari, dhe zëvendësministri i Drejtësisë, Alen Dereban, u takuan me ambasadorin dhe shefin e Delegacionit të Bashkimit Evropian në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Mihalis Rokas, ku u diskutua për proceset aktuale reformuese në gjyqësor dhe përparimin e shtetit në procesin e integrimit evropian.
Ministri Shasivari theksoi përkushtimin e Ministrisë së Drejtësisë për zbatimin e reformave në përputhje me rekomandimet e Komisionit Evropian, me theks të veçantë në sundimin e ligjit dhe përmbushjen e detyrimeve nga Agjenda e Reformave dhe Klasteri “Vlerat Themelore”.
Në takim u diskutua edhe për zbatimin e Strategjisë Sektoriale të Zhvillimit për Gjyqësorin 2024–2028, si dhe për aktivitetet që realizohen me mbështetjen e Bashkimit Evropian përmes projekteve IPA për forcimin e sistemit gjyqësor dhe digjitalizimin e tij.
U shpreh mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të Bashkimit Evropian në zbatimin e reformave, mbështetje që ka rol të rëndësishëm në forcimin e institucioneve, avancimin e sundimit të ligjit dhe përshpejtimin e integrimit evropian të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Në këtë drejtim, u theksua edhe nevoja për ndihmë ekspertize nga BE‑ja në reformat e legjislacionit penal.
Në takim u konfirmua angazhimi i përbashkët për vazhdimin e bashkëpunimit partner dhe intensifikimin e proceseve reformuese në gjyqësor, me synim forcimin e pavarësisë funksionale të tij në përputhje me standardet evropiane dhe prioritetet reformuese të shtetit.
