Hodhi ujë drejt Ramës, Bardhi përjashtohet nga seanca

Nga D. V.
539 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 23 korrik, Zhurnal.mk – Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, është përjashtuar nga seanca plenare e 23 korrikut, pasi ka lagur me ujë Kryeministrin Edi Rama, raporton A2 CNN.

Deputetët e opozitës bllokuan foltoren teksa votoheshin projektligjet e rendit të ditës dhe në një moment ata nisën të hidhnin ujë në drejtim të Ramës, duke e lagur. Për këtë veprim, krytari i Kuvendit, Niko Peleshi, përjashtoi Bardhin nga seanca. Megjithatë ai vijoi të qëndrojë në sallë, teksa ligjet votohen njëri pas tjetrit.

Pas gati gjysmë ore Peleshi e ndërpreu sërish seancën, diçka që e ka bërë disa herë gjatë kësaj dite. Me mbërritjen e Ramës në Kuvend, tensionet u rritën sërish mes socialistëve dhe demokratëve. Më herët, mazhoranca rrëzoi me votë kërkesën e demokratëve për të zgjatur me tre muaj afatet e Komisionit të Posaçëm për Reformën Territoriale.

Taulant Balla ua bëri të qartë se komisioni e ka përfunduar funksionin dhe se treni për demokratët ka ikur.

Ndërkohë, jashtë sallës së Parlamentit, protesta qytetare u shoqërua me tensione dhe përplasje me policinë, e cila përdori edhe gazin lotsjellës për të shpërndarë turmën. Si pasojë pati të lënduar mes protestuesve dhe policisë.

Zëvendësministri Lamallari mohoi akuzat e opozitës se ndaj protestuesve është përdorur dhunë dhe lëndë e rrezikshme kimike. Perimetri i sigurisë këtë herë ishte vendosur në një hapësirë më të madhe, duke garantuar hyrjen e sigurt në sallë të deputetëve. Por, megjithatë, pati automjete që nuk i shpëtuan vezëve.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër