U zgjodh oferta më e favorshme për 150 autobusë elektrikë: Kushtet i kanë plotësuar dy kompani, çmimin më të ulët e ofruan “IKARUS Electric” dhe EVN

Nga D. V.
643 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 23 korrik, Zhurnal.mk – Ministria e Transportit njofton se katër kompani kanë paraqitur ofertat e tyre në thirrjen publike për furnizimin me 150 autobusë elektrikë dhe 75 stacione karikimi.

Sipas vlerësimit të komisionit, vetëm dy kompani i kanë plotësuar kriteret e pjesëmarrjes, ndërsa Xiamen Golden Dragon Bus Co., Ltd dhe YES‑EU DENMARK A/S YUTONG nuk i kanë përmbushur kushtet e kërkuara.

Në ankandin elektronik të mbajtur sot, ofertën më të favorshme e ka dorëzuar IKARUS Electric Zrt, në ofertë të përbashkët me EVN.

Ministria informon:

“Pas vlerësimit të ofertave, Komisioni për prokurime publike konstatoi se nga katër ofertat e dorëzuara, sipas kritereve të përcaktuara në thirrjen publike, dy operatorë ekonomikë i plotësojnë kushtet për pjesëmarrje në ankandin elektronik: BMC Otomotiv Sanayi ve Ticaret A.Ş. dhe IKARUS Electric Zrt në ofertë të përbashkët me EVN. Sipas ankandit elektronik, çmimin më të ulët e dorëzoi IKARUS Electric Zrt me EVN — 3.120.956.004 denarë pa TVSH, që nënkupton 19.796.924 denarë pa TVSH për njësi autobus dhe 2.018.899 denarë pa TVSH për njësi stacion karikimi.”

Komisioni kompetent tashmë ka propozuar përzgjedhjen e ofertuesit më të favorshëm, ndërsa ka filluar afati ligjor prej 10 ditësh për paraqitjen e ankesave.

Ministria sqaron edhe afatet e dorëzimit të autobusëve dhe stacioneve të karikimit:

“Pas nënshkrimit të kontratës, ofertuesi i përzgjedhur është i detyruar të realizojë furnizimin sipas dinamikës së mëposhtme:
– 30 autobusë elektrikë dhe 15 stacione karikimi brenda 6 muajve nga nënshkrimi i kontratës;
– 60 autobusë elektrikë dhe 30 stacione karikimi brenda 12 muajve;
– 60 autobusë elektrikë dhe 30 stacione karikimi brenda 18 muajve.”

Ministria e Transportit thekson se procedura po zhvillohet në përputhje të plotë me Ligjin për Prokurime Publike dhe standardet e transparencës.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër