Kredia hungareze doli në pah në Kavadar, ku shkuan edhe 499 milionë euro?

Nga I.A
1,173 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 24 korrik, Zhurnal.mk – Maqedonia e Veriut, më 17 dhjetor 2024, nënshkroi marrëveshjen më të madhe të huamarrjes bilaterale në historinë e saj 500 milionë euro kredi nga EximBank Hungareze, me kushte të buta financiare normë interesi 3.25%, afat shlyerjeje 15 vjet dhe periudhë greis 3‑vjeçare. Qeveria e prezantoi këtë kredi si instrument për mbështetje buxhetore, stabilizim fiskal, refinancim të borxhit të vjetër dhe investime kapitale në nivel lokal. Por ndërsa një pjesë e mjeteve u përdorën për të mbuluar detyrime të mëparshme, pjesa tjetër u premtua për projekte konkrete nëpër komuna. Sot, shohim një investim që ka dalë qartësisht në sipërfaqe pishina e rinovuar e Kavadarit, me vlerë rreth 1 milion euro. Pyetja që lind natyrshëm është ku janë 499 milionë eurot e tjera? A po shihen në terren? A po shpërndahen drejtë? A po investohen në zonat shqiptare? shkruan Zhurnal.

Kredia hungareze e nxorri kokën në Kavadar

Me një investim prej rreth 1 milion euro, siguruar përmes thirrjes së dytë publike të Qeverisë, sot u vu zyrtarisht në funksion pishina e plotësisht e rinovuar e qytetit të Kavadarit. Në hapjen e objektit morën pjesë Kryeministri Hristijan Mickoski, Ministri i Sportit Borko Ristovski dhe Kryetari i Komunës së Kavadarit, Mitko Jancev.

Rikonstruksioni përfshiu obnovimin e të gjithë kompleksit të pishinës, duke përfshirë sistem të ri filtrimi dhe pastrimi të ujit, rikonstruksion të pishinës së madhe dhe të vogël, instalim të atraksioneve ujore dhe toboganëve, pajisje për fëmijë, kënd lojërash modern, zhveshtore të rinovuara, hapësira sanitare, dhomë mjekësore, shtigje qasjeje dhe përmbajtje të tjera përcjellëse.

Komuna e Kavadarit e prezantoi objektin si kompleks modern sportiv‑rekreativ, që ofron siguri dhe komoditet për të gjitha moshat, duke u shndërruar në një nga destinacionet më atraktive verore në vend.

Kryetari Jancev theksoi se pas 40 vitesh, objekti më në fund është rikonstruktuar dhe se investimi është grant i plotë për komunën, i mbështetur nga kredia hungareze. Ministri Ristovski nënvizoi se Qeveria po vazhdon me investime në infrastrukturën sportive në të gjithë vendin, me synimin që sa më shumë fëmijë dhe të rritur të angazhohen në aktivitete rekreative dhe të jetojnë një stil të shëndetshëm sportiv.

Si po menaxhohet pjesa tjetër e kredisë? Sa po investohet në komunat shqiptare?

Deri më tani, Qeveria ka publikuar vetëm listën e projekteve të thirrjes së dytë publike, ku përfshihen: rikonstruksione palestrash, terrene sportive, pishina, qendra rekreative, projekte komunale të vogla.

Nga të dhënat e deritanishme, investimet e dukshme në komunat shqiptare janë:

Tetova, tribuna të reja në stadium (projekt i prezantuar më herët, jo i lidhur drejtpërdrejt me kredinë hungareze). Çair, Saraj, Studeniçan, Haraçinë, Likovë, Gostivar, Dibër, Kërçovë komuna të banuara me shumicë shqiptare janë vizituar shpesh nga eksponentë politik duke paralajmëruar projekte të mëdha infrastrukturore, por ja që në terren akoma nuk shihen të përfunduara.

Pra, ndërsa Kavadari merr 1 milion euro, komunat shqiptare nuk kanë ende asnjë projekt të përfunduar nga kjo kredi, të paktën nga ajo që është publikuar deri më tani.

Nëse investimet vazhdojnë të shfaqen vetëm në zona të caktuara, atëherë krijohet rreziku që kredia hungareze të shndërrohet në instrument selektiv investimesh, komunat shqiptare të mbeten jashtë ciklit të investimeve kapitale, pabarazitë infrastrukturore të thellohen, edhe më e zakonshmja që ndodhë në vendin tonë investimet të përdoren si kapital politik në zona të caktuara.

Çfarë duhet të ndodhë?

Për të kuptuar realisht se ku po shkojnë 500 milionë eurot, nevojitet lista e plotë e projekteve të financuara nga kredia hungareze. Shuma e saktë për secilin projekt, harta territoriale e investimeve për ta pasur një pasqyrë të qartë se a ka diskriminim territorial apo është vetëm paranojë.

Rëndësi ka edhe statusi i realizimit apo fazën në të cilën ndodhën projektet në ndërtim, në tender, në dokumentacion. Edhe e fundit jo më pak e rëndësishme, duhet të dihet qartë përqindja e mjeteve që shkon në komunat shqiptare.

Kujtojmë që, projektet e rëndësishme kapitale mirë që bëhen si në Kavadar si kurdo tjetër që ka nevojë, por aq e rëndësishme sa projektet është e nevojshme që të ketë barazi dhe drejtësi në mënyrë që mos të ndodhin anashkalime. Pasi kjo sjellë në shpopullimin e zonave të caktuara dhe mbingarkesën e qyteteve urbane. /Zhurnal.mk

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër