Shkup, 24 korrik, Zhurnal.mk – Deputeti i koalicionit VLEN, Bekim Qoku, ka reaguar për situatën e ndotjes së ujit në Gostivar, duke theksuar se kriza nuk është një problem i krijuar brenda natës, por rezultat i viteve të neglizhencës dhe keqmenaxhimit.
Sipas Qokut, faktet e bëra publike ngrenë dyshime serioze për mënyrën se si janë menaxhuar fondet e dedikuara për infrastrukturën ujësjellëse gjatë qeverisjes së BDI-së. Ai përmend edhe rastin e kanalizimit në Zajaz, duke pretenduar se edhe fondet për rikonstruktimin e ujësjellësit në Gostivar, në kohën kur kryetar komune ishte Arben Taravari, kanë përfunduar pa rezultate të dukshme.
Qoku thekson se mbi 3.000 qytetarë janë prekur nga kjo situatë dhe kërkon zbardhjen e plotë të rastit, si dhe mbajtjen e përgjegjësisë nga autorët, duke e cilësuar krizën si pasojë të një problemi të trashëguar prej të paktën një dekade.
