Nikolloski: Autostrada Kërçovë–Ohër po ndërtohet me ritëm të përshpejtuar, së shpejti hapen edhe 10 kilometra të rinj

Nga R.ZH
1,018 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Kërçovë, 25 korrik, Zhurnal.mk – Ndërtimi i autostradës Kërçovë–Ohër po zhvillohet me dinamikë të përshpejtuar, ndërsa në muajt e ardhshëm pritet të lëshohen në përdorim edhe 10 kilometra të rinj, që përfshijnë segmentin më kompleks të projektit me tunele dhe galeri. Kështu deklaroi zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit, Aleksandar Nikolloski, gjatë inspektimit të punimeve në aksin Presekë–Kërçovë.

Sipas Nikolloskit, deri më tani janë përfunduar plotësisht dy galeri, ndërsa në të tretën po zhvillohen punime intensive. Ai bëri të ditur se paralelisht po punohet në tetë galeri, stabilizimin e terrenit, ndërtimin e urave dhe përfundimin e dy tubave të tuneleve.

“Shifrat janë vërtet mbresëlënëse. Vetëm këto tri galeri që janë pas meje kanë gjatësi prej 1 kilometër e 100 metra, ndërsa tunelet do të jenë më të gjatët në Maqedoni – njëri tub me gjatësi 2 kilometra, ndërsa tjetri 2 kilometra e 100 metra. Galeri të këtij lloji për herë të parë po ndërtohen jo vetëm në Maqedoni, por edhe në të gjithë rajonin”, deklaroi Nikolloski.

Ai theksoi se ndërtimi i galerive ishte zgjidhja më e mirë për stabilizimin e terrenit dhe mbrojtjen e trasesë, duke vlerësuar se kjo qasje po dëshmohet efikase edhe në praktikë.

“Ky ishte vendimi më i mençur dhe zgjidhja më e mirë për stabilizimin e terrenit. Për të mbrojtur trasenë dhe për të siguruar vozitje të sigurt, këto vepra inxhinierike ishin zgjidhja më e mirë. Ky ishte një projekt i braktisur, një projekt në të cilin askush nuk besonte, por tani shihet fundi. Tashmë kemi 34 kilometra ku qarkullohet, ndërsa në muajt e ardhshëm do të hapim edhe 10 kilometra të tjerë, pjesën më të komplikuar ku përfshihen tunelet dhe galeritë”, tha ai.

Ministri i Transportit shtoi se pas përfundimit të punimeve në këtë segment, autostrada do të jetë funksionale dhe do të vihet në shërbim të qytetarëve, duke lehtësuar lidhjen rrugore ndërmjet Kërçovës dhe Ohrit.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër