Shkup, 27 korrik Zhurnal.mk – Kuvendi miratoi sot Ribalancin e plotësuar të Buxhetit për vitin 2026, me të cilin sigurohen më shumë mjete për zhvillim dhe investime kapitale, mbështetje për bujqësinë, mbrojtjen sociale, komunat dhe realizimin e prioriteteve zhvillimore të Qeverisë, si dhe për përmbushjen e pandërprerë të detyrimeve ligjore.
Ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska-Koçoska, në ekspozenë e saj lidhur me propozimin, theksoi se ai paraqet një harmonizim të përgjegjshëm dhe në kohë të projeksioneve buxhetore me rrethanat e reja ekonomike, si dhe siguron mjete për përmbushjen e detyrimeve ligjore të krijuara ndërkohë dhe realizimin e prioriteteve zhvillimore në përputhje me shkallën e zbatimit të tyre.
Me Ribalancin e plotësuar, të hyrat e përgjithshme rishikohen në 379,5 miliardë denarë, që paraqet një rritje prej 1,2 për qind krahasuar me Buxhetin fillestar. Shpenzimet e përgjithshme rishikohen në 425,8 miliardë denarë, ose 2,8 për qind më shumë se projeksionet fillestare. Deficiti buxhetor është projektuar në 46,3 miliardë denarë, ose 4,1 për qind e PBB-së.
“Me këto ndryshime sigurojmë mjete për pagesën e pagave të rritura në sektorët ku është paraparë rritje, mbështetje shtesë për bujqësinë, më shumë mjete për mbrojtjen sociale dhe për komunat. Ajo që e veçon veçanërisht këtë ribalanc është sigurimi i mjeteve shtesë për përshpejtimin e ciklit investues dhe realizimin e projekteve infrastrukturore”, deklaroi ministrja.
Ajo shtoi se ndryshimet synojnë vazhdimin e politikave për stabilitet ekonomik, zhvillim dhe menaxhim të përgjegjshëm të financave publike, duke theksuar se me miratimin e Ribalancit vazhdon cikli investues, ndërtimi i infrastrukturës, mbështetja për zhvillimin lokal dhe sigurohet stabilitet e parashikueshmëri për qytetarët dhe ekonominë.
Me ribalancin sigurohen edhe 5,8 miliardë denarë shtesë për investime kapitale, të cilat projektohen në nivel prej 46 miliardë denarësh, ose 14,3 për qind më shumë krahasuar me buxhetin fillestar, për shkak të ritmit të përshpejtuar të realizimit të projekteve kapitale. Në gjysmën e parë të vitit, realizimi i shpenzimeve kapitale arriti në 19,4 miliardë denarë, që paraqet rritje prej 53,5 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Pikërisht rritja e investimeve kapitale dhe e financimit të infrastrukturës është arsyeja e korrigjimit të deficitit me 0,6 pikë përqindjeje në raport me projeksionin fillestar.
Mjetet janë orientuar drejt realizimit të projekteve që përmirësojnë drejtpërdrejt jetën e qytetarëve dhe krijojnë përfitime ekonomike në vitet e ardhshme. Është planifikuar financimi i projekteve në infrastrukturën rrugore dhe hekurudhore, në fushën e mjedisit jetësor dhe infrastrukturës komunale, energjetikës, arsimit dhe mbrojtjes së fëmijëve, bujqësisë, gjyqësorit, si dhe projekteve kapitale në komuna, përkatësisht mbështetjes së zhvillimit lokal.
Ribalanci siguron gjithashtu mjete shtesë për përmbushjen e detyrimeve prioritare që rrjedhin nga marrëveshjet kolektive të nënshkruara, përkatësisht për paga më të larta, më shumë mbështetje për bujqësinë dhe për mbrojtjen sociale.
Përmes përfshirjes së amendamenteve janë siguruar mjete edhe për gratë që merren me veprimtari bujqësore, për krijimin e një linje kombëtare SOS për mbështetjen e viktimave të dhunës me bazë gjinore dhe dhunës në familje, si dhe për hapjen dhe funksionalizimin e dy qendrave strehimore për viktimat e dhunës në familje dhe dhunës me bazë gjinore.
Gjithashtu, janë siguruar edhe 6 milionë denarë shtesë për transportin e ujit për popullatën në Gostivar për shkak të epidemisë së shpallur, 1 milion denarë për Drejtorinë për Ekzekutimin e Sanksioneve, 10 milionë denarë në Ministrinë e Arsimit për rikonstruksionin e fakulteteve, 12 milionë denarë në Prokurorinë Publike për vazhdimin e licencës për furnizimin me softuer, 170 milionë denarë në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave për ndërtimin e qendrave distributive në Shkup dhe Strumicë, si dhe për renovimin dhe adaptimin e ndërtesës së IPARD-it, ndërsa 80 milionë denarë në Agjencinë për Rezervat e Mallrave.
Me Ribalancin, rritja ekonomike për vitin 2026 është projektuar në 3,5 për qind.
