Haxhiu takohet me komandantin e Komandës Aleate në Napoli: Anëtarësimi në NATO mbetet synim strategjik i Kosovës

Nga D V
718 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Prishtinë, 28 korrik, Zhurnal.mk – Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka pritur në takim Admiralin George M. Wikoff, komandant i Komandës Aleate të Forcave të Përbashkëta në Napoli.

Haxhiu ka bërë të ditur se gjatë takimit është diskutuar për situatën e sigurisë në Kosovë dhe rajon, bashkëpunimin ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe KFOR-it, si dhe për koordinimin me NATO-n.

“Sot pata kënaqësinë ta pres Admiralin George M. Wikoff, Komandant i Komandës Aleate të Forcave të Përbashkëta në Napoli. Biseduam për situatën e sigurisë në Kosovë dhe në rajon, për bashkëpunimin e institucioneve tona me KFOR-in dhe për rëndësinë e koordinimit të rregullt me NATO-n”, ka shkruar Haxhiu.

Ajo ka falënderuar admiralin Wikoff për angazhimin dhe shërbimin e KFOR-it në ruajtjen e sigurisë dhe lirisë së lëvizjes për qytetarët e Kosovës.

“E falënderova Admiralin Wikoff për angazhimin e tij, si dhe për shërbimin e KFOR-it në ruajtjen e sigurisë dhe të lirisë së lëvizjes për të gjithë qytetarët e Kosovës”, ka deklaruar ajo.

Sipas Haxhiut, orientimi euroatlantik i Kosovës mbetet i pakthyeshëm, ndërsa anëtarësimi në NATO vazhdon të jetë synim strategjik i vendit.

“Theksova se orientimi euroatlantik i Kosovës është i pakthyeshëm dhe se anëtarësimi në NATO mbetet synimi ynë strategjik”, ka shkruar ushtruesja e detyrës së presidentes.

Ajo ka shtuar se Kosova do të vazhdojë të forcojë bashkëpunimin me Aleancën dhe të kontribuojë në sigurinë e rajonit.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër