Kurti pret admiralin amerikan Wikoff, diskutohet forcimi i partneritetit me NATO-n

Nga D V
624 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Prishtinë, 28 korrik, Zhurnal.mk – Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim komandantin e Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate të NATO-s në Napoli të Italisë, admiralin amerikan George M. Wikoff, i cili ishte i shoqëruar nga komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor Ozkan Ulutash.

Sipas njoftimit nga Zyra e Kryeministrit, gjatë takimit u diskutua për situatën e sigurisë në Kosovë, bashkëpunimin ndërmjet institucioneve të vendit dhe NATO-s, si dhe mundësitë për zgjerimin dhe thellimin e këtij bashkëpunimi.

Kurti e falënderoi admiralin Wikoff për përkushtimin e NATO-s, përmes misionit të KFOR-it, në krijimin e një mjedisi të qetë dhe të sigurt për të gjithë qytetarët dhe komunitetet në Kosovë, si dhe për kontributin në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit afatgjatë në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor.

Përmes një postimi, Kurti bëri të ditur se ky ishte takimi i dytë me admiralin amerikan, pas atij të zhvilluar në janar.

“Ne jemi mirënjohës për përkushtimin e NATO-s për mjedis të qetë e të sigurt për të gjithë qytetarët dhe të gjitha komunitetet, si dhe për kontributin e vazhdueshëm për paqen e qëndrueshme dhe stabilitetin afatgjatë në Republikën tonë dhe mbarë rajonin e Ballkanit Perëndimor”, ka shkruar Kurti.

Ai shtoi se me admiralin Wikoff ka diskutuar për zhvillimet e sigurisë dhe bashkëpunimin mes institucioneve të Kosovës dhe NATO-s.

Takimi vjen në kuadër të bashkëpunimit të vazhdueshëm ndërmjet Kosovës dhe Aleancës Veri-Atlantike, me fokus ruajtjen e stabilitetit dhe sigurisë në vend dhe rajon.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër