Shkup, 28 korrik, Zhurnal.mk – Zëdhënësi i VLEN, Driton Sulejmani, në konferencën e sotme për media akuzoi se udhëheqja e korruptuar e BDI‑së po i ndëshkon shumicën e shqiptarëve që e dërguan në opozitë, duke bllokuar ligjin me të cilin përfaqësimi i drejtë duhet të garantohet në mënyrë të qëndrueshme.
„Çfarë po përjetojnë shqiptarët? Ali Ahmeti të bllokojë Ligjin për përfaqësim të drejtë dhe me këtë të rrënojë një nga parimet themelore të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit. Pse? Për lakmi për pushtet“, tha Sulejmani.
Ai theksoi se udhëheqja e pareformuar e BDI‑së, e dëshpëruar nga fakti që shqiptarët e dërguan në opozitë, po ndërmerr hapa drejtpërdrejt kundër interesave të shqiptarëve.
„Në Malë Recicë kanë kurdisur një plan të rrezikshëm. Duan të krijojnë narrativ se të drejtat e shqiptarëve janë të rrezikuara vetëm sepse BDI nuk është në Qeveri. Për ta, shqiptarët paskan të drejta vetëm kur ata janë në pushtet dhe kur njerëzit e tyre ulen në kolltuqe. Udhëheqja e korruptuar e BDI‑së nuk mund t’ua falë shqiptarëve që i dërguan në opozitë, prandaj tani po u hakmerren pikërisht atyre duke bllokuar ligjin që garanton përfaqësimin e drejtë“, tha ai.
Sulejmani shtoi se skandalet e BDI‑së nuk kanë qenë të pakta – nga keqpërdorimi i fondeve evropiane, te mosigurimi i ujit të pastër për banorët e Zajazit dhe Gostivarit, e deri te aferat e Soravisë në Shkup, Daçka Davidoviqit në Tetovë dhe shumë marrëveshje të tjera të dyshimta.
„Tani kanë shtrirë dorën edhe mbi kauzën shqiptare, duke menduar se nëse krijojnë kaos, populli do t’i kthejë sërish në pushtet. Por ai film nuk kalon më. BDI është lexuar deri në fund. Populli ua di skemën prej kohësh. Pas fjalëve të mëdha për patriotizëm, kanë mbetur vetëm tenderaxhinj të zakonshëm që luftojnë për funksione, privilegje dhe mundësinë për të mbushur xhepat e tyre. Shqiptarët ua treguan derën një herë. Nëse vazhdojnë të bllokojnë ligjin dhe të veprojnë kundër Marrëveshjes së Ohrit, do të mbeten në opozitë edhe shumë gjatë“, përfundoi Sulejmani.
