Mickoski: Protokollet nuk janë pjesë e Kornizës së Negociatave, por Bullgaria pretendon të kundërtën

Nga I.A
661 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 28 korrik, Zhurnal.mk – Kryeministri Hristijan Mickoski deklaroi gjatë vizitës në Komunën e Ilindenit se protokollet nuk janë pjesë e Kornizës së Negociatave me Bashkimin Evropian, pavarësisht pretendimeve të palës bullgare, e cila – siç tha – i bazon qëndrimet e saj në marrëveshjet e arritura me qeverinë e mëparshme.

Ai theksoi se ky qëndrim është i pandryshuar që nga momenti i parë kur Qeveria aktuale ka marrë detyrën.

„Absolutisht, si Qeveri ndajmë qëndrimin se protokollet nuk janë pjesë e Kornizës së Negociatave. Për fat të keq, pala bullgare pretendon të kundërtën dhe thotë se ka nënshkruar një marrëveshje me qeverinë e mëparshme, në të cilën – sipas tyre – u është premtuar gjithçka. Ne nuk vlerësojmë se protokollet janë pjesë e Kornizës dhe nuk duhet të jenë. Ky qëndrim është i yni që nga dita e parë. Për fat të keq, qëndrimi i palës tjetër është krejtësisht i ndryshëm. Dhe ai qëndrim është rezultat i eksibicioneve dhe kapitullimit të qeverisë së mëparshme të LSDM‑së dhe BDI‑së, si dhe të ekipit negociator të udhëhequr nga humbësi nga Çairi“, tha Mickoski.

Deklarata e tij vjen pas komenteve të ish‑ministrit të jashtëm dhe nënkryetarit të BDI‑së, Bujar Osmani, i cili javën e kaluar tha se katër vite ka përballuar kritika për qëndrimin se protokollet nuk janë pjesë e Kornizës së Negociatave, ndërsa tani – sipas tij – kjo është konfirmuar.

Më herët, ministri i punëve të jashtme dhe tregtisë së jashtme, Timço Mucunski, deklaroi se si ministër dhe si jurist vlerëson se në përmbajtjen e Kornizës së Negociatave nuk ka as dispozitë eksplicite, as implicite që lidhet me momentin e hyrjes në fuqi të ndryshimeve kushtetuese.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër