Arrestohet ish-kryebashkiaku, dyshohet se financonte një nga bandat më të fuqishme kriminale të Ekuadorit

Nga Xh M
933 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Ekuador, 28 korrik Zhurnal.mk – Policia e Ekuadorit ka arrestuar një ish-kryebashkiak, i cili dyshohet se ishte një nga financuesit kryesorë të organizatës kriminale “Los Lobos”, një grup i përfshirë në trafikun e drogës dhe aktivitetet e paligjshme minerare.

I arrestuari është Elías Baldor Bermeo, i njohur me nofkën “B.B.”, ish-kryetar i komunës Camilo Ponce Enríquez. Sipas ministrit të Brendshëm, John Reimberg, ai konsiderohet si një prej mbështetësve financiarë kryesorë të një prej organizatave më të dhunshme kriminale në historinë e Ekuadorit. Sipas autoriteteve, Bermeo dyshohet se ka përdorur aktivitetet minerare të paligjshme për të financuar rrjetin kriminal “Los Lobos”, i cili për vite me radhë ka gjeneruar miliona dollarë përmes nxjerrjes ilegale të mineraleve.

Operacioni policor u zhvillua në komunën Camilo Ponce Enríquez, në provincën e Azuay, ku efektivët arrestuan gjashtë persona, mes tyre edhe disa të afërm të ish-kryebashkiakut.

Gjatë kontrolleve, policia zbuloi edhe shufra ari mbi të cilat ishte vendosur fotografia e Pablo Escobar, trafikantit kolumbian të drogës i vrarë në vitin 1993.
Ministri Reimberg deklaroi se Bermeo dyshohet për përfshirje në veprimtari të paligjshme minerare dhe organizim të sulmeve me eksplozivë. Sipas tij, gjatë viteve 2023–2025, ish-kryebashkiaku ka qarkulluar rreth 3.2 milionë dollarë përmes kompanive minerare.

Arrestimi vjen në kuadër të operacioneve të intensifikuara nga qeveria e presidentit Daniel Noboa kundër grupeve kriminale dhe rrjeteve të trafikut të drogës, me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër