Levica dhe LSDM me kritika për “Shkup 2028”: Kontestime për emërimin e drejtorit dhe për prokurimet jashtë ligjit sistemik

Nga D V
774 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 29 korrik, Zhurnal.mk – Opozita, Levica dhe LSDM, dolën me reagime të ndara kundër Projektligjit për realizimin e projektit “Shkup – Kryeqyteti Evropian i Kulturës 2028”, i cili tashmë ka hyrë në procedurë parlamentare. Të dy partitë kundërshtojnë mënyrën e paraparë të shpenzimit të mjeteve publike, ndërsa Levica hap edhe çështjen e emërimit të Marjan Cvetkovskit si drejtor i fondacionit që duhet ta zbatojë projektin.

Sipas Levicës, kryetari i Shkupit, Orce Gjorgjievski, e ka emëruar ish-drejtorin e Radiotelevizionit të Maqedonisë, Marjan Cvetkovski, si drejtor të një fondacioni që juridikisht ende nuk është themeluar.

Partia pyet mbi bazën e cilit autorizim ligjor është bërë emërimi, duke pasur parasysh se, sipas Projektligjit, drejtori duhet të emërohet nga Bordi drejtues i fondacionit.

“Por Bordi drejtues ende nuk mund të ekzistojë, sepse Fondacioni nuk është themeluar me ligj. Kjo tregon se zgjidhjet kadrovike janë të parapërgatitura, ndërsa ligji duhet vetëm t’i legalizojë ato”, thuhet në kumtesën e Levicës.

Nga LSDM akuzojnë VMRO-DPMNE-në se me Projektligjin po tenton të mundësojë shpenzimin e 21 milionë eurove pa zbatimin e Ligjit për prokurimet publike.

“Kanë përgatitur ligj me të cilin 21 milionë euro para publike do të mund të shpenzohen pa zbatimin e Ligjit për prokurimet publike, pa tender, përmes themelimit të një fondacioni që gjoja duhet ta realizojë projektin”, thuhet në reagimin e LSDM-së.

Partia vlerëson se përjashtimi i fondacionit nga sistemi i prokurimeve publike do të krijonte një precedent të rrezikshëm, i cili në të ardhmen mund të përdoret edhe për projekte të tjera të shpallura si prioritare.

LSDM kërkoi tërheqje të menjëhershme të Projektligjit, duke theksuar se asnjë institucion nuk duhet të jetë i përjashtuar nga Ligji për prokurimet publike, veçanërisht kur bëhet fjalë për dhjetëra milionë euro mjete publike.

Më herët gjatë ditës, Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit paralajmëroi se çdo zgjidhje ligjore me të cilën përjashtohet ose kufizohet zbatimi i ligjeve sistemike, veçanërisht Ligjit për prokurimet publike, duhet të jetë e qartë, e argumentuar dhe të përmbajë mekanizma efikasë për parandalimin e korrupsionit dhe keqpërdorimit të mjeteve publike.

DKSK theksoi se transparenca, trajtimi i barabartë, konkurrenca e lirë, ekonomiciteti, llogaridhënia dhe kontrolli efektiv nuk guxojnë të vihen në pikëpyetje, pavarësisht formës institucionale përmes së cilës do të realizohet projekti.

Komisioni rikujtoi se miratimi i ligjeve me procedurë të shkurtuar, përmes së cilës anashkalohen ligjet sistemike, është identifikuar si rrezik i lartë për korrupsion në Strategjinë Kombëtare për Parandalimin e Korrupsionit dhe Konfliktit të Interesave 2026–2030.

Edhe Platforma e organizatave qytetare për luftë kundër korrupsionit kërkoi nga Kuvendi të ndalojë miratimin e Projektligjit me procedurë të shkurtuar.

Platforma paralajmëroi se me zgjidhjen e propozuar, fondacioni që do të themelohej nga Qyteti i Shkupit dhe do të financohej me mjete buxhetore dhe fonde evropiane, do të ishte i përjashtuar nga zbatimi i Ligjit për prokurimet publike. Sipas organizatave, kjo krijon rrezik të lartë korrupsioni, cenon barazinë para ligjit dhe vendos precedent për projekte të ardhshme.

Organizatat kërkuan që teksti të tërhiqet, të dërgohet në konsultim publik përmes ENER-it dhe të hiqen dispozitat me të cilat shmanget zbatimi i Ligjit për prokurimet publike.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër