Shkup, 29 korrik, Zhurnal.mk – Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, ka zhvilluar një takim me ambasadoren e Mbretërisë së Holandës, Özlem Canel, ku në fokus të bisedimeve kanë qenë integrimi evropian i vendit, Marrëveshja e Ohrit dhe zhvillimet e fundit politike, transmeton Zhurnal.mk.
Sipas njoftimit të Ahmetit, gjatë takimit është theksuar nevoja që Maqedonia e Veriut të gjejë rrugën për vazhdimin e procesit të integrimit në Bashkimin Evropian.
“Çdo vonesë e mëtejshme e largon vendin nga perspektiva evropiane, dobëson institucionet dhe krijon pasiguri për të ardhmen”, thuhet në njoftimin e kreut të BDI-së.
Ahmeti ka ngritur gjithashtu shqetësimin për, siç thekson ai, goditjet e vazhdueshme ndaj Marrëveshjes së Ohrit dhe arritjeve që garantojnë barazinë, kohezionin ndëretnik dhe stabilitetin e vendit.
Sipas tij, Marrëveshja e Ohrit mbetet themeli i paqes dhe funksionimit demokratik të shtetit, ndërsa çdo cenim i saj ndikon drejtpërdrejt në stabilitetin e përgjithshëm.
Gjatë takimit është biseduar edhe për zhvillimet politike në vend, sundimin e ligjit, çështjet e sigurisë dhe sfidat rajonale.
Në fund të njoftimit, Ahmeti thekson se partnerët ndërkombëtarë duhet të dëgjojnë, siç shprehet ai, alarmin e BDI-së, duke vlerësuar se rruga evropiane dhe Marrëveshja e Ohrit janë dy shtyllat kryesore mbi të cilat mbështeten stabiliteti dhe e ardhmja e Maqedonisë së Veriut.//Zhurnal.mk
