A po gërryet sot liria mediatike në RMV?

Nga I.A
957 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 30 korrik, Zhurnal.mk – Raporti vjetor i Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë për liritë e mediave dhe sigurinë e gazetarëve nuk është një dokument Teknik por është një pasqyrë e qartë e një profesioni që po funksionon nën presion të vazhdueshëm, në një mjedis ku rreziqet po evoluojnë më shpejt se reformat. Edhe pse shënohen disa përmirësime, tabloja e përgjithshme mbetet alarmante dhe natyrisht karakterizohet me sulme online, pasiguri ekonomike, mosndëshkueshmëri e qëndrueshme dhe një sistem që ende nuk garanton mbrojtje të plotë për gazetarët, shkruan Zhurnal.

Çfarë thotë raporti?

Raporti thekson se gjatë vitit 2025 ka pasur disa lëvizje pozitive, si krijimi i regjistrit të mediave online dhe zgjedhja e anëtarëve të rinj në organet rregullatore. Në dokument thuhet se reformat nuk po ecin me ritmin që kërkon realiteti mediatik.

Interpretimi këtij raporti është i thjeshtë pasi përmirësimet janë kozmetike, ndërsa problemet strukturore mbeten të pandryshuara. Ligjet ekzistojnë, por zbatimi i tyre është i paqëndrueshëm. Institucionet që duhet të mbrojnë liritë e mediave shpesh nuk reagojnë me efikasitet, duke lënë hapësirë për presion politik, ndikim ekonomik dhe përzgjedhje në vendimmarrje.

Kjo situatë e vendos sektorin mediatik në një gjendje të ndërmjetme me disa mekanizma modernë, por pa garanci të plotë ligjore dhe institucionale. Për një vend që synon standardet evropiane, kjo është një pengesë serioze.

Siguria e gazetarëve mbetet pezull rritje e sulmeve online dhe mosndëshkueshmëri e rrezikshme

Një nga pjesët më të forta të raportit është Indeksi i Sigurisë së Gazetarëve. Dokumenti thekson se rreziku kryesor është zhvendosur në hapësirën digjitale.

Sulmet fizike mund të jenë ulur, por sulmet online janë rritur në mënyrë dramatike. Gazetarët, veçanërisht gazetaret, përballen me ngacmime seksiste, kërcënime, fyerje dhe diskreditime publike. Hapësira digjitale po shndërrohet në terren të rrezikshëm, ku sulmuesit shpesh mbeten anonimë dhe të pandëshkuar.

Mosndëshkueshmëria mbetet një problem i madh. Raporti vëren se reagimi institucional është përmirësuar në disa raste, por ende nuk është i mjaftueshëm për të krijuar një kulturë përgjegjësie. Kur sulmuesit nuk ndëshkohen, sulmet normalizohen. Kjo krijon një mjedis ku gazetari punon me frikë, jo me liri.

Në këtë kontekst, siguria e gazetarëve nuk është vetëm çështje profesionale është çështje demokratike. Pa gazetarë të sigurt, nuk ka informim të lirë.

Pasiguria ekonomike është rreziku i heshtur që po e gërryen pavarësinë editoriale

Raporti thekson qartë se pasgiuria ekonomike është shkaku kryesor për të kuptuar pse gazetaria është kaq e cenueshme.

Gazetarët punojnë në kushte të pasigurta, me paga të ulëta, kontrata në vepër dhe mungesë stabiliteti profesional. Kjo i bën ata të ekspozuar ndaj presioneve politike dhe komerciale. Kur gazetari nuk është i sigurt për të ardhmen e tij, ai nuk mund të jetë i lirë në punën e tij.

Pasiguria ekonomike është rreziku i heshtur që nuk shihet menjëherë, por që gërryen ngadalë pavarësinë editoriale. Pa stabilitet ekonomik, gazetaria nuk mund të jetë e pavarur.

Nga ana tjetër rikthimi i mundshëm i reklamimit shtetëror paraqet rrezik të madh. Nëse financimi publik shpërndahet pa transparencë, ai mund të shndërrohet në mjet kontrolli politik. Kjo do të deformonte tregun mediatik, do të dëmtonte pluralizmin dhe do të krijonte varësi të rrezikshme.

Kujtojmë që, raporti i SHGM-së është një alarm i qartë që gazetaria në Maqedoninë e Veriut po funksionon në një mjedis të pasigurt, të polarizuar dhe të pambrojtur. Sulmet online, mosndëshkueshmëria dhe pasiguria ekonomike nuk janë vetëm probleme profesionale ato janë edhe kërcënime për demokracinë dhe të drejtën e qytetarëve për informim të lirë. /Zhurnal.mk

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër