UEFA ka thirrur një takim urgjent për këtë pasdite për të dhënë një përgjigje përfundimtare ndaj planit të diskutueshëm të presidentit të FIFA-s, Gianni Infantino, për t’ia shitur Kupën e Botës investitorëve privatë.
Plani i Infantinos është t’ua shesë 20 deri në 30 për qind të aksioneve të organizatës së Kupës së Botës investitorëve privatë nëpërmjet një kompanie simotër të quajtur FIFA Forward Enterprise, dhe ai i ka premtuar secilës prej 211 kombeve nën FIFA-n shuma të mëdha nëse ato e mbështesin planin.
Afati i fundit për një përgjigje është 19 shtatori dhe UEFA do ta refuzojë zyrtarisht propozimin sot (e enjte).
“Kemi mësuar se FIFA ka vendosur një afat kohor për federatave që të mbështesin propozimet, përndryshe oferta e pagesës së njëhershme do të tërhiqet. Kjo është e gjitha që duhet të dimë rreth këtij plani”, ka thënë UEFA.
Takimi i sotëm do të mbahet online, dhe një nga opsionet më radikale është një bojkot total i Kupës së Botës, domethënë që asnjë përfaqësuese nga Evropa të mos marrë pjesë në të.
Problemi më i madh i UEFA-s është se një nga anëtarët e saj – Republika Çeke – është dakord me propozimet e Infantinos.
“Ne shohim avantazhe pragmatike për futbollin çek”, tha presidenti i Federatës së Futbollit të Republikës Çeke, David Trunda.
Megjithatë, sot pritet që UEFA t’i thotë qartë dhe me zë të lartë “jo” propozimit të Infantinos.
