Ferit Hoxha: Konsullata shqiptare në Preshevë është interes kombëtar, jo kompromis politik

Nga Xh M
863 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 30 korrik Zhurnal.mk – Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Ferit Hoxha, ka reaguar pas debatit të krijuar lidhur me mundësinë e hapjes së një konsullate serbe në Shqipëri, duke theksuar se prioriteti i Tiranës mbetet hapja e një Konsullate të Përgjithshme shqiptare në Luginën e Preshevës.

Sipas Hoxhës, Shqipëria ka kërkuar hapjen e një konsullate në Luginën e Preshevës, ndërsa Serbia ka paraqitur kërkesën për hapjen e një Konsullate të Përgjithshme në Shkodër. Ai theksoi se veprimet konkrete do të ndërmerren vetëm pasi të ketë dakordësi të plotë mes dy palëve për të gjitha aspektet e procesit.

Ministri nënvizoi se reciprociteti është një parim themelor i marrëdhënieve diplomatike dhe nuk nënkupton domosdoshmërisht barazi në objektiva apo interesa, por shërben si bazë për mirëkuptimin ndërmjet shteteve.

Hoxha theksoi se synimi i Shqipërisë është të krijojë një prani të përhershme konsullore në Luginën e Preshevës për të qenë më pranë komunitetit shqiptar, për t’u ofruar mbështetje më të drejtpërdrejtë dhe për të mbrojtur më mirë të drejtat dhe interesat e tyre legjitime.

Në reagimin e tij, ministri shprehu habinë që debati publik është përqendruar te interesat e supozuara të Serbisë, ndërsa, sipas tij, është lënë në hije përfitimi konkret që sjell për shqiptarët e Luginës hapja e një përfaqësie të përhershme konsullore shqiptare.

Ai përfundoi duke theksuar se politika e jashtme e Shqipërisë udhëhiqet nga interesi kombëtar, respektimi i së drejtës ndërkombëtare dhe vlerat evropiane, standarde që vendi synon t’i forcojë edhe më tej në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër