Tiranë, 31 korrik, Zhurnal.mk – Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha reagoi sot pas lirimit nga burgu të ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj, duke e cilësuar vendimin si “dëshmi flagrante” të kontrollit të sistemit të drejtësisë nga kryeministri Edi Rama.
Gjatë një konference për mediet, teksa iu përgjigj gazetarëve, Berisha tha se lirimi i Beqajt tregon se drejtësia ndodhet nën ndikimin e qeverisë.
Sipas tij, akuzat e ngritura ndaj ish-ministrit nuk pasqyrojnë përgjegjësinë reale për çështjen e koncesionit të sterilizimit.
“Komentet e mia janë këto: lirimi i Ilir Beqajt është dëshmi e fundit flagrante e kontrollit të plotë dhe total të sistemit të drejtësisë nga Edi Rama. Totalisht! Vetë akuza kundër tij ishte qesharake në raport me plaçkitjen e qindra-milionë eurove”, tha Berisha.
Berisha u ndal dhe tek ish-ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, për mënyrën e menaxhimit të pandemisë së COVID-19, duke pretenduar se vendimet e marra gjatë asaj periudhe kanë ndikuar në rritjen e numrit të viktimave në Shqipëri.
