Tiranë, 3 gusht, Zhurnal.mk – Dhjetëra qytetarë janë mbledhur sot përpara Bashkisë Patos, në shenjë proteste kundër reformës së re administrative dhe propozimit për shkrirjen e Bashkisë Patos dhe bashkimin e saj me Bashkinë Fier.
“Larg duart nga Patosi” ishte slogani që bashkoi qytetarët, të cilët shprehen kundër çdo vendimi që, sipas tyre, rrezikon të cenojë identitetin dhe të ardhmen e qytetit.
Ata e konsiderojnë këtë reformë një tjetër hap drejt shpopullimit të Patosit dhe kërkojnë që zëri i banorëve të dëgjohet përpara se të merret një vendim për të ardhmen administrative të qytetit.
“Jemi të zhgënjyer, nuk duam të bashkohemi me Fierin”, u shpreh një nga protestuesit.
Patosi është ndërtuar dhe zhvilluar mbi industrinë e naftës, ndërsa naftëtarët kanë qenë ndër kontribuesit kryesorë në historinë dhe zhvillimin e tij. Protestuesit shprehen se qyteti nuk mund të trajtohet thjesht si një pikë në hartë dhe se nuk do të lejojnë që vendimet administrative të prekin identitetin dhe të ardhmen e Patosit.
Qytetarët kërkojnë që çdo ndryshim territorial të bëhet vetëm pas konsultimit me komunitetin dhe duke marrë në konsideratë historinë, kontributin dhe nevojat e banorëve të Patosit.
Protesta ka pasur edhe në qytete të tjera, si Poliçani, Divjaka, Dimali etj ku sipas draftit të PS të depozituar në Kuvend parashikohen bashkimi i bashkive.
Propozimi i PS-së për ndarjen e re territoriale parashikon shkrirjen e 15 bashkive. 33 bashki mbeten të pandryshuara, ndërsa 28 të tjera pësojnë ndryshime. Qarqet nuk preken nga reforma. Gjithashtu, krijohet një nivel i ri i qeverisjes vendore, që njeh qytetet me status të veçantë ligjor dhe parashikon që ato të kenë një nënkryetar përgjegjës për koordinimin administrativ.
