“Asnjë objekt pa certifikatë” – Inspektorati i Prishtinës paralajmëron masa ndaj ndërtuesve

Nga D. V.
830 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Prishtinë, 3 gusht, Zhurnal.mk – Drejtoria e Inspektoratit të Komunës së Prishtinës ka paralajmëruar investitorët, ndërtuesit dhe qytetarët se asnjë objekt nuk mund të vihet në përdorim pa përfundimin e Inspektimit Final dhe pajisjen me Certifikatë të Përdorimit.

Sipas njoftimit, kjo kërkesë vlen për objektet individuale dhe kolektive të banimit, objektet banesore-afariste, afariste, industriale, publike, si dhe objektet e tjera që përfshihen në kategoritë përkatëse sipas legjislacionit në fuqi.

Inspektorati ka bërë të ditur se investitorët do të njoftohen individualisht përmes Urdhëresës Inspektuese që të mos e vënë objektin në përdorim, të mos ua dorëzojnë banesat apo lokalet shfrytëzuesve dhe të mos fillojnë aktivitetin ekonomik pa përfunduar procedura e Inspektimit Final.

Po ashtu, qytetarëve u është bërë thirrje që të mos pranojnë në dorëzim banesa, lokale afariste apo objekte të tjera pa Certifikatë të Përdorimit.

Në rast të shkeljeve, Drejtoria e Inspektoratit ka paralajmëruar masa, përfshirë ndërprerjen e menjëhershme të përdorimit të objektit, lirimin e tij deri në pajisjen me certifikatë, gjoba administrative dhe inicimin e procedurave të tjera ligjore.

“Siguria nuk është formalitet”, thuhet në njoftimin e Drejtorisë së Inspektoratit, e cila thekson se Inspektimi Final dhe Certifikata e Përdorimit shërbejnë për të verifikuar nëse objekti i plotëson kushtet ligjore, teknike dhe të sigurisë për përdorim. 

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër