Prishtinë, 09 tetor, Zhurnal.mk – Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE), me katër vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, ka miratuar të premten aplikacionet e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) për licencimin e aktiviteteve të prodhimit të energjisë elektrike në termocentralet “Kosova A” dhe “Kosova B”, raporton Ekonomia Online.
Në mbledhje është shqyrtuar dokumentacioni për të dy termocentralet, ndërsa propozimet për licencim janë paraqitur nga ushtruesi i detyrës së drejtorit të Zyrës Ligjore në ZRRE, Ymerdin Misin.
Sa i përket TC “Kosova A”, Misin ka thënë se, bazuar në vlerësimin e aplikacionit, dokumentacionin e administruar dhe vendimin e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, është propozuar që KEK-ut t’i lëshohet licenca për prodhimin e energjisë elektrike.
“Andaj, bazuar në vlerësimin e aplikacionit, dokumentacionin e administruar dhe vendimin e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, për periudhën dyvjeçare, TLL-ja i propozon bordit që KEK-ut, për TC ‘Kosova A’, t’i lëshohet licenca për prodhimin e energjisë elektrike për periudhën nga data 09.10.2026 deri në datën e lëshimit të vendimit të Ministrisë, duke marrë parasysh periudhën e mbuluar nga vendimi i lëshuar nga Ministria e Mjedisit. Gjithashtu, KEK-u të obligohet që në ZRRE të dorëzojë çdo dokument apo vendim të institucioneve kompetente që ndryshon dokumentacionin e paraqitur gjatë aplikimit ose që mund të ndikojë në kushtet e vlefshmërisë së licencës. KEK-u obligohet gjithashtu të dorëzojë në ZRRE planin për rezervat e lëndëve djegëse për TC ‘Kosova A’, në përmbushje të detyrimeve të përcaktuara në nenin 8 të licencës, në përputhje me nenin 9 të Ligjit për Energjinë Elektrike dhe aktin ligjor 07/2017 për nivelin e rezervave të lëndëve djegëse për prodhimin e energjisë elektrike. Vendimmarrja për lëshimin e licencës bëhet nga bordi i ZRRE-së, si organ kolegjial, në pajtim me Ligjin nr. 05/L-084 për Rregullatorin e Energjisë dhe rregullat për licencimin e aktiviteteve të energjisë në Kosovë”, ka thënë Misin.
Ndërkaq, për TC “Kosova B”, Misin ka paraqitur propozimin për lëshimin e licencës për bashkëprodhimin e energjisë elektrike dhe termike për periudhën nga 9 tetori 2026 deri më 17 gusht 2028.
“Bazuar në vlerësimin e aplikacionit, dokumentacionin e administruar dhe vendimin e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, për periudhën dyvjeçare, i propozohet bordit që KEK Sh.A., për TC ‘Kosova B’, t’i lëshohet licenca për bashkëprodhimin e energjisë elektrike dhe termike për periudhën nga data 09.10.2026 deri më 17.08.2028, duke marrë parasysh periudhën e mbuluar nga vendimi i Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor. Gjithashtu, KEK-u të obligohet që në ZRRE të dorëzojë çdo dokument apo vendim të institucioneve kompetente që ndryshon dokumentacionin e paraqitur gjatë aplikimit ose që mund të ndikojë në kushtet dhe vlefshmërinë e licencës. KEK-u të obligohet të dorëzojë edhe planin për rezervat e lëndëve djegëse për TC ‘Kosova B’”, ka thënë ai.
Në të njëjtën mbledhje, ZRRE-ja ka shqyrtuar dhe miratuar edhe kërkesat për autorizime për vetëkonsum të energjisë elektrike nga persona fizikë dhe biznese.
Në mesin e aplikuesve janë PLIS MARKET SH.P.K., GNTC GROUP SH.A., TONI KOMPANY, AULONA SH.P.K., ELEKTROMETAL LLC, SWISS FIX dhe TONY COMPANY SH.P.K., si dhe dhjetëra persona fizikë, kërkesat e të cilëve kanë qenë pjesë e rendit të ditës së mbledhjes.
