Pesë vite afat për Ohrin: UNESCO paralajmëron se degradimi s’është ndalur

Nga D. V.
868 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 4 gusht, Zhurnal.mk – Komiteti i Trashëgimisë Botërore i UNESCO-s vendosi t’i japë Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut një afat shtesë pesëvjeçar për të zbatuar masat e kërkuara për mbrojtjen e Rajonit Natyror dhe Kulturor të Ohrit, duke shmangur për momentin përfshirjen e tij në Listën e Trashëgimisë Botërore në Rrezik. Organizata thekson se degradimi i vlerave të jashtëzakonshme universale të zonës nuk është ndalur.

Vendimi u mor nga Komiteti i Trashëgimisë Botërore i UNESCO-s gjatë sesionit të tij të 48-të, pas shqyrtimit të raportit mbi gjendjen e ruajtjes së Rajonit Natyror dhe Kulturor të Ohrit.

Inxhinieri dhe ambientalisti Arian Merolli e cilëson të gabuar entuziazmin e shfaqur nga zëvendëskryeministri gjatë mbledhjes online të Komitetit të Trashëgimisë Botërore, pas vendimit për të mos e futur Rajonin e Ohrit në Listën e Trashëgimisë Botërore në Rrezik.

“Zëvendëskryeministri ishte shumë i gëzuar që Rajoni i Ohrit nuk u fut në Listën e Trashëgimisë Botërore në Rrezik. Mua kjo më habiti, sepse do të ishte më mirë të ishte futur në atë listë. Kjo do të rriste presionin e UNESCO-s dhe të institucioneve ndërkombëtare mbi qeverinë për të marrë masa konkrete për mbrojtjen e rajonit”, thotë Merolli.

Sipas tij, afati pesëvjeçar i dhënë nga UNESCO rrezikon të mos sjellë rezultat nëse mungon vullneti politik.

“Pas pesë vitesh kjo qeveri mund të mos jetë më në pushtet dhe mund të thotë: ‘Punë e madhe, nuk jemi më ne’. Prandaj nuk i shqetëson fakti që u dha një afat pesëvjeçar. Shqetësimi im është nëse ata e dinë çfarë duhet të bëjnë gjatë këtyre pesë viteve. Unë besoj se nuk e dinë”, vijon ai.

Sipas inxhinierit Arian Merolli, strategjia e hartuar me kërkesë të UNESCO-s për menaxhimin dhe rivitalizimin e Liqenit të Ohrit duhet të shoqërohet me një plan të detajuar zbatimi, me afate dhe buxhete të përcaktuara. Ai thekson se Maqedonia e Veriut e ka avancuar këtë proces duke e kaluar strategjinë në mbledhjen e qeverisë dhe duke krijuar një grup ndërinstitucional për zbatimin e saj, ndërsa Shqipëria mbetet pas në këtë drejtim.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër