Shkup, 4 gusht, Zhurnal.mk – Tetova sonte mbyll një nga kapitujt më të gjallë të verës, me finalet e turneut Street Basket 3×3, që do të zhvillohen në Sheshin “Iliria”, duke filluar nga ora 19:30. Kryetari Bilall Kasami, përmes një njoftimi, ka ftuar qytetarët të jenë pjesë e mbrëmjes finale, e cila shënon edhe përmbylljen e aktiviteteve të “Tetova n’Festë”.
Ky program 25‑ditor, i mbushur me kulturë, sport, muzikë dhe argëtim, e ka shndërruar Tetovën në qendrën kryesore të ngjarjeve verore në rajon. Sipas Kasamit, suksesi i këtij edicioni është rezultat i punës së palodhur të stafit organizativ, pjesëmarrësve, artistëve, sportistëve dhe bashkëpunëtorëve, si dhe pjesëmarrjes masive të qytetarëve.
“Faleminderit gjithë stafit organizativ që janë kujdesur deri në detajin e fundit, pjesëmarrësve, artistëve, sportistëve, bashkëpunëtorëve dhe qytetarëve që ishin pjesë e kësaj atmosfere të jashtëzakonshme. Ju faleminderit dhe shihemi sonte!”, ka shkruar Kasami.
Mbrëmja e sotme pritet të sjellë atmosferë festive dhe garë sportive, duke vulosur një verë të gjallë dhe dinamike në Tetovë.
