Teheran, 6 gusht, Zhurnal.mk – Irani ka mohuar se është duke zhvilluar negociata me Shtetet e Bashkuara për çështjen e Ngushticës së Hormuzit, duke theksuar se bisedimet aktuale po zhvillohen vetëm me Omanin në kuadër të marrëdhënieve dypalëshe.
Deklarata u bë nga zëvendësministri i Jashtëm iranian, Kazem Gharibabadi, i cili i tha mediave iraniane se pretendimet e Uashingtonit për negociata me Teheranin janë të pavërteta.
“Nuk ka pasur negociata”, u shpreh ai.
Megjithatë, Gharibabadi pranoi se Irani ka marrë mesazhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në të cilat shprehet gatishmëria për t’u rikthyer te angazhimet e mëparshme mes dy vendeve.
Deklaratat e tij bien në kundërshtim me ato të presidentit amerikan Donald Trump, i cili gjatë ditëve të fundit ka folur disa herë për “bisedime shumë të mira” që, sipas tij, po zhvillohen me Iranin.
Ngushtica e Hormuzit mbetet një nga rrugët detare më strategjike në botë për transportin e naftës dhe gazit.
Çdo zhvillim që lidhet me sigurinë ose administrimin e saj ndiqet me vëmendje nga tregjet ndërkombëtare dhe fuqitë e mëdha.
