Pacientët me viruse të traktit digjestiv në rritje

Nga Xh M
835 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 9 gusht Zhurnal.mk – Te mjekët amë së fundmi është rritur numri i pacientëve që kërkojnë ndihmë mjekësore për shkak të simptomave që lidhen me infeksionet virale të traktit digjestiv.

Mjeku Benjamin Kamberi thotë se simptomat më të shpeshta janë diarreja, dhimbjet e barkut dhe të vjellat, ndërsa në raste më të rënda mund të shfaqet edhe dehidratimi i organizmit.

“Sipas stinës në të cilën ndodhemi, një prej shkaktarëve më të shpeshtë që sjell këto simptoma janë rotaviruset, të cilat prekin organizmin dhe shkaktojnë diarre dhe të vjella. Këto simptoma mund të përfundojnë edhe me komplikime më serioze, duke çuar deri në dehidratim të organizmit. Jo rrallëherë, simptomatologji të tilla shfaqen edhe si rezultat i konsumimit të ushqimeve që nuk janë përgatitur në mënyrë të duhur ose që janë konservuar dhe ruajtur në kushte jo të përshtatshme”, deklaroi mjeku Benjamin Kamberi.

Për të parandaluar këto simptoma dhe për të shmangur rrezikun për shëndetin, mjekët rekomandojnë kujdes më të madh gjatë përgatitjes dhe ruajtjes së ushqimeve, si dhe konsumimin e produkteve të freskëta dhe të sigurta.

“Përgatitja e ushqimeve duhet të bëhet në mënyrë më të kujdesshme dhe duhet të përdoren produkte që nuk paraqesin dyshim për shëndetin. Nga ana tjetër, pacientëve u rekomandohet të shmangin hapësirat e mbipopulluara për të zvogëluar mundësinë e infektimit me viruset që qarkullojnë gjatë kësaj stine. Duhet të bëhet ventilimi i rregullt i hapësirave të mbyllura, përfshirë shtëpitë, si dhe të shmangen kontaktet me persona që kanë simptoma të ngjashme”, tha Kamberi.

Sipas tij, personat që kanë simptoma të tilla duhet të konsultohen me mjekun dhe, sipas nevojës, të përdorin terapi simptomatike, probiotikë dhe elektrolite, veçanërisht për të parandaluar dehidratimin.

Mjekët gjithashtu apelojnë te qytetarët që të kujdesen për hidratimin e organizmit, të konsumojnë mjaftueshëm ujë dhe të sigurojnë marrjen e nevojshme të vitaminave dhe mineraleve.

Rekomandohet gjithashtu shmangia e alkoolit, pijeve energjike dhe ushqimeve me përmbajtje të lartë sheqeri.

Për personat me sëmundje kronike, mjekët rekomandojnë që terapitë e përshkruara të merren rregullisht dhe në kohë, ndërsa gjatë temperaturave të larta këshillohet shmangia e daljeve në orët më të nxehta të ditës, veçanërisht nga ora 11:00 deri në 17:00.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër