Zërat për bisedime me Brukselin larg opinionit, Jashari: Janë legjitime, rëndësi të ketë proces

Nga Xh M
933 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 9 gusht Zhurnal.mk – Deklarata e ministrit të Punëve të Jashtme, Timço Mucunski, se me Bashkimin Evropian po zhvillohen bisedime për tejkalimin e ngërçit në procesin integrues dhe se, në këtë fazë, nuk mund të bëhet publike rrjedha e negociatave diplomatike, ka tërhequr vëmendjen e partive politike dhe opinionit publik.

Profesori universitar Hasan Jashari vlerëson se është e rëndësishme që të zhvillohen takime dhe kontakte me qendrat evropiane dhe vendet fqinje, edhe nëse një pjesë e tyre zhvillohen në mënyrë diskrete.

Sipas tij, Qeveria ka legjitimitetin për të zhvilluar takime dhe bisedime, si të hapura ashtu edhe të mbyllura, por transparenca do të ishte e nevojshme për të shmangur hapësirat për akuza dhe kundërakuza ndërmjet partive politike.

“Është mirë që bisedohet, pa marrë parasysh nëse bisedat bëhen të fshehta, edhe me Bashkimin Evropian, edhe me ndërmjetës, edhe me Bullgarinë. Kjo mund të merret me mend se ka diçka. Por, do të ishte më mirë që të kishte transparencë. Së paku gazetarëve, por edhe opinionit publik, t’u tregohet: me kë bisedohet, si bisedohet. Duke marrë parasysh sociologjinë politike këtu te ne, atëherë menjëherë do të fillonte një rebesh, një sulm i vrazhdë ndaj Qeverisë”, u shpreh profesori universitar Hasan Jashari.

Jashari shton se kritikat e subjekteve politike janë pjesë normale e debatit demokratik, pasi partitë veprojnë në përputhje me interesat e tyre politike, të cilat mbrohen në kuadër të demokracisë liberale.

Ndërkohë, pas pretendimeve të LSDM-së për bisedime të fshehta me Brukselin dhe se pushteti është i gatshëm të pranojë të ashtuquajturin propozim francez, Ministria e Punëve të Jashtme i ka hedhur poshtë këto pretendime.

Nga Ministria kanë mohuar ekzistencën e një marrëveshjeje të fshehtë apo negociatave të fshehta, duke përsëritur qëndrimin e Qeverisë se nuk do të ketë lëshime sa i përket interesave kombëtare, identitetit, gjuhës dhe historisë.

Debati për mënyrën e tejkalimit të ngërçit integrues pritet të vazhdojë, ndërsa mbetet për t’u parë nëse bisedimet diplomatike me partnerët evropianë do të prodhojnë një zgjidhje konkrete për avancimin e procesit të integrimit evropian të vendit.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër