Beograd, 9 gusht ZHurnal.mk – Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar se autoritetet serbe po shqyrtojnë mundësinë e ndryshimit të rrjedhës së lumit Ibër në territorin e Serbisë, duke e lidhur këtë me, siç tha ai, trajtimin e serbëve nga autoritetet e Kosovës.
Vuçiqi tha se ekspertët tashmë janë përfshirë në shqyrtimin e kësaj mundësie, ndërsa një ide e tillë, sipas tij, daton që nga viti 1985.
Sipas presidentit serb, ndryshimi i rrjedhës së Ibrit do të mund të bëhej për nevojat e popullsisë në vendbanimet pranë liqenit dhe mund të ndikonte në nivelin e ujit në liqenin e Ujmanit, nga i cili furnizohet me ujë Kosova.
“Ne tashmë kemi ftuar ekspertët që merren me këtë çështje, sektorin e ndërtimit, inxhinierë dhe të tjerë. Meqë po e maltretojnë kaq shumë popullin tonë, të shohim. Kemi arsye të ndryshme për ndryshimin e rrjedhës së Ibrit dhe pastaj do të shohim se çfarë do të bëjnë shqiptarët dhe si do të sillen”, deklaroi Vuçiqi të dielën para gazetarëve në Beograd.
Ai tha se një vendim i tillë mund të merret përmes Qeverisë së Serbisë.
Vuçiqi foli gjithashtu për rrënimin e vilave të ndërtuara pa leje përreth liqenit të Ujmanit, duke thënë se po i ndjek nga afër zhvillimet.
Deri tani janë rrënuar dhjetëra objekte të ndërtuara pa leje në hapësirën që është nën administrimin e ndërmarrjes publike “Ibër-Lepenc”.
Duke folur për qëndrimin e Serbisë, Vuçiqi theksoi se vendi i tij është shtet sovran dhe se vendimet do të merren në përputhje me interesat e Serbisë.
“Ne jemi shtet sovran. Ndonjëherë kemi interesa të këtij lloji, ndonjëherë të një lloji tjetër dhe, në përputhje me këto interesa, do të sillemi”, tha ai.
Vuçiqi foli edhe për mundësinë e një konflikti me NATO-n, duke deklaruar se Serbia nuk e konsideron luftën me Aleancën si opsion në këtë moment.
“A është opsion për ne në këtë moment të hyjmë në luftë me NATO-n? Unë mendoj se nuk është”, përfundoi presidenti serb.
