Tiranë, 10 gusht, Zhurnal.mk – Drejtori i Policisë Rrugore, Perlat Vatoci, gjatë një prononcimi për mediet prezantoi sot ndryshimet e reja në Kodin Rrugor, të cilat, siç u shpreh ai, synojnë rritjen e sigurisë rrugore, ndërgjegjësimin e drejtuesve të mjeteve dhe uljen e numrit të aksidenteve.
Vatoci bëri të ditur se një nga masat e reja parashikon shtyrjen e së drejtës për t’u pajisur me leje drejtimi deri në një vit për personat që kapen duke drejtuar mjete pa qenë të pajisur me leje drejtimi. Për të miturit, kjo periudhë shtyhet me dy vjet.
“Një tjetër masë e rëndësishme është heqja përgjithmonë e lejes së drejtimit për drejtuesit që rezultojnë me nivel alkooli mbi 0,5 g/l në gjak dhe që janë ndëshkuar më parë për drejtim mjeti nën ndikimin e alkoolit ose në gjendje të dehur”, tha ai.
Ndryshimet e reja ashpërsojnë gjithashtu masat ndaj sjelljeve të rrezikshme në rrugë, përfshirë mosrregullimin e shpejtësisë në rrugë me fushëpamje të kufizuar, manovrat agresive, ndryshimet e shpeshta të korsisë pa sinjalizim dhe shkeljet që rrezikojnë përdoruesit e tjerë të rrugës, veçanërisht në zona urbane, pranë shkollave, kryqëzimeve dhe degëzimeve.
“Për këto shkelje, masa administrative është rritur nga 20 mijë në 60 mijë lekë. Kodi i ri parashikon gjithashtu sanksionimin e përdorimit të telefonit celular gjatë drejtimit të biçikletave, motomjeteve deri në 50 cc dhe monopatinave me motor. Për drejtuesit e automjeteve, pezullimi i lejes së drejtimit tashmë aplikohet kur një person është ndëshkuar dy herë brenda të njëjtit vit për përdorimin e telefonit celular, nga tre herë që ishte kufiri përpara ndryshimeve”, vijoi ai.
“Përdorimi i telefonit celular gjatë drejtimit të mjetit rezulton një ndër shkaqet kryesore të humbjes së kontrollit mbi mjetin dhe, për pasojë, edhe të aksidenteve rrugore”, u shpreh Vatoci.
Masa të posaçme janë përcaktuar edhe për drejtuesit e rinj, të cilët kanë marrë lejen e drejtimit gjatë 24 muajve të fundit, duke vendosur kufizime specifike për drejtimin nën ndikimin e alkoolit dhe për shpejtësinë.
Një ndryshim tjetër i rëndësishëm është heqja e mundësisë për të shmangur pezullimin e lejes së drejtimit përmes pagesës së dyfishit të masës administrative maksimale. Sipas rregullave të reja, në rastet kur parashikohet edhe pezullimi i lejes së drejtimit, kjo masë do të zbatohet automatikisht.
Vatoci tha se strukturat e Policisë Rrugore në të gjithë vendin janë njohur me ndryshimet e fundit të Kodit Rrugor dhe janë udhëzuar për zbatimin korrekt të tyre.
Duke iu referuar shkeljeve të shumta të evidentuara edhe përmes mjeteve inteligjente, Policia e Shtetit u bën apel drejtuesve të mjeteve të respektojnë kufijtë e shpejtësisë, të mos drejtojnë nën efektin e alkoolit, të mos përdorin telefonin gjatë drejtimit dhe të shmangin parakalimet e palejuara dhe manovrat e rrezikshme.
“Masat ndëshkuese nuk janë qëllimi ynë. Qëllimi ynë është parandalimi i shkeljeve, parandalimi i aksidenteve dhe, mbi të gjitha, mbrojtja e jetës”, theksoi Vatoci.
Ai nënvizoi se siguria rrugore është një përgjegjësi e përbashkët dhe se respektimi i rregullave nga çdo drejtues mjeti është thelbësor për reduktimin e aksidenteve dhe shpëtimin e jetëve.
