Harry Kane fiton Këpucën e Artë të Evropës për herë të dytë

Nga D. V.
600 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Harry Kane është shpallur fitues i Këpucës së Artë të Evropës për sezonin 2025/26, pasi ishte golashënuesi më i mirë në kampionatet evropiane.

Sulmuesi anglez e fitoi këtë çmim për herë të dytë në karrierë, pasi kishte triumfuar edhe në sezonin 2023/24. Kane e siguroi trofeun pasi shënoi 36 gola në Bundesliga gjatë sezonit të kaluar, duke lënë pas konkurrencën për çmimin prestigjioz.

Me këtë sukses, Kane i bashkohet një grupi të veçantë të futbollistëve që kanë fituar Këpucën e Artë të Evropës më shumë se një herë. Vetëm Lionel Messi dhe Cristiano Ronaldo e kanë fituar këtë trofe më shumë herë se sulmuesi anglez.

Ceremonia zyrtare e dorëzimit të trofeut do të zhvillohet më 19 gusht në Muzeun e Bayern Munichut.

Presidenti i Bayern Munichut, Herbert Hainer, e ka lavdëruar ndikimin e Kane në historinë e klubit.

“Te Bayern, Harry Kane është në një linjë me sulmues legjendarë si Gerd Muller dhe Karl-Heinz Rummenigge, ndërsa ai po e vazhdon këtë histori të golashënimit në ditët e sotme, duke e çuar rolin e sulmuesit në një nivel të ri”.

“Ai është një udhërrëfyes për ekipet e tij, brenda dhe jashtë fushës, sepse gjithmonë udhëheq me karakter dhe ndjenjë të fortë komuniteti. Jemi krenarë që është pjesë e familjes së Bayern Munichut”, deklaroi Hainer.

Edhe drejtori i Bayern Munichut, Jan-Christian Dreesen, theksoi cilësitë e Kane si lider dhe kompletimin e tij si futbollist.

“Kur Harry Kane luan, e gjithë bota e shikon. Ai e ka ngritur Bayern Munichun dhe Bundesligën në një nivel të ri”.

“Në mënyrë jo të zakonshme për një sulmues, ai vendos përgjegjësinë ndaj ekipit mbi suksesin personal. Gjithmonë i ka bashkëlojtarët në vëmendje, si brenda ashtu edhe jashtë fushës”.

“Qëndrimi, aftësitë dhe karakteri i tij e bëjnë atë sulmuesin më të kompletuar të gjeneratës së tij dhe një shembull të jashtëzakonshëm edhe jashtë fushës. Harry Kane thjesht ka stil dhe e meriton çdo trofe në botë”, u shpreh Dreesen.

Në moshën 33-vjeçare, Kane vazhdon të jetë një prej sulmuesve më produktivë në Evropë, ndërsa sezoni i kaluar i ka sjellë edhe një tjetër njohje të rëndësishme individuale.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër