Shkup, 11 gusht, Zhurnal.mk – Në vend të 25 denarëve, nga nesër, në pikat e grumbullimit në Strumicë, speci i kuq për ajvar, i destinuar për industrinë e konservimit dhe të përpunimit, do të blihet me 30 denarë për kilogram, përcjell Nistori.
Marrëveshja u arrit pas katër ditësh protesta të fermerëve.
Ministri i Bujqësisë, Borçe Serafimovski, pas takimeve me bujqit, njoftoi se, duke filluar nga nesër, speci i kuq do të blihet me çmim prej 40 denarësh për kilogram për klasën e parë, 30 denarësh për klasën e parë–të dytë, përkatësisht për specin e destinuar për kapacitetet industriale, ndërsa çmimi për klasën e dytë do të jetë 15 denarë për kilogram.
“Apeloj si te grumbulluesit, ashtu edhe te bujqit, që të bëjnë klasifikim real të specit të kuq në pikat e grumbullimit dhe të mos e kthejnë prodhimin. Për të shmangur manipulimet e mundshme, nga nesër do të intensifikohen kontrollet e Inspektoratit Shtetëror të Bujqësisë”, tha Serafimovski.
Sa i përket afatit për pagesën e specave, ai tha se nevojiten ndryshime ligjore. Lidhur me subvencionet, ministri bëri të ditur se janë ndarë 1,2 milionë denarë, të cilat, në mbledhjen e parë të Qeverisë, do të dedikohen për blegtorët dhe bujqit, me qëllim që pagesat të kryhen deri në fund të gushtit.
Bujqit nga rajoni i Strumicës u shprehën të kënaqur me marrëveshjen e arritur pas disa ditësh protesta. Ata presin që marrëveshja të zbatohet edhe në praktikë.
