Pothuajse çdo i treti fëmijë në Maqedoni rrezikon të jetojë në varfëri

Nga Xh M
A+ A-
Rivendos

Shkup, 17 tetor Zhurnal.mk – Pothuajse 120 mijë fëmijë në Maqedoni, përkatësisht 29,5 për qind e fëmijëve deri në moshën 17-vjeçare, janë të ekspozuar ndaj rrezikut të varfërisë, tregojnë të dhënat e UNICEF-it dhe Entit Shtetëror të Statistikave për vitin 2024. Këto shifra shqetësuese rikthejnë në vëmendje çështjen e standardit të jetesës dhe mbrojtjes sociale, në Ditën Ndërkombëtare për Çrrënjosjen e Varfërisë, e cila shënohet sot, më 17 tetor.

Sipas të dhënave zyrtare statistikore, shkalla e përgjithshme e rrezikut nga varfëria në Maqedoni është 21,9 për qind, që do të thotë se më shumë se çdo i pesti qytetar ka të ardhura nën pragun e përcaktuar të varfërisë.

Gjendja është veçanërisht e pafavorshme për fëmijët, prindërit e vetëm dhe familjet me shumë anëtarë. Te familjet me një prind dhe fëmijë në varësi, shkalla e rrezikut nga varfëria arrin në 45,8 për qind, ndërsa te familjet me dy të rritur dhe tre ose më shumë fëmijë, ajo është 54,8 për qind.

Te personat e papunë, kjo shkallë është 45,7 për qind, ndërsa te të punësuarit 7,9 për qind dhe te pensionistët 12 për qind.

Të dhënat tregojnë gjithashtu rëndësinë e mbrojtjes sociale shtetërore. Nëse nga përllogaritjet përjashtohen pensionet dhe transfertat sociale, shkalla e rrezikut nga varfëria do të arrinte në 39,4 për qind.

Në një analizë të publikuar në maj të këtij viti, UNICEF-i paralajmëroi se, pavarësisht reformave të sistemit të mbrojtjes sociale të ndërmarra në vitin 2019, varfëria e fëmijëve mbetet në nivel të lartë, pa përmirësim të qëndrueshëm.

Sipas organizatës, rritja e kostos së jetesës, përfshirja e kufizuar në skemat e ndihmës financiare dhe mbështetja e pamjaftueshme për familjet me fëmijë e zvogëlojnë efektin e masave ekzistuese sociale.

UNICEF-i propozon zgjerimin e shtesave për fëmijë dhe orientimin më të mirë të mbështetjes financiare drejt familjeve më të cenueshme.

Ndërkohë, Kombet e Bashkuara paralajmërojnë se varfëria po lidhet gjithnjë e më shumë me krizën globale të banimit.

Sipas vlerësimeve të OKB-së, në vitin 2026 rreth 826 milionë njerëz në botë jetojnë në varfëri ekstreme, me më pak se tre dollarë në ditë, sipas pragut ndërkombëtar të varfërisë.

Përveç kësaj, më shumë se 2,8 miliardë njerëz jetojnë në kushte të papërshtatshme banimi ose përballen me pasiguri në strehim. Mbi një miliard njerëz jetojnë në vendbanime informale dhe lagje të varfra, ndërsa më shumë se 300 milionë njerëz janë të pastrehë.

Shënimi i sivjetmë i Ditës Ndërkombëtare për Çrrënjosjen e Varfërisë i kushtohet të drejtës për banim të sigurt dhe dinjitoz, si një nga parakushtet themelore për siguri sociale.

Kombet e Bashkuara paralajmërojnë se kushtet e papërshtatshme të banimit ndikojnë drejtpërdrejt në shëndetin, arsimimin dhe mundësitë ekonomike, veçanërisht te fëmijët dhe familjet me të ardhura të ulëta.

Sipas UNICEF-it, varfëria gjatë fëmijërisë sjell pasoja afatgjata, pasi kufizon qasjen në arsim cilësor, kujdes shëndetësor dhe kushte të përshtatshme për zhvillim normal.

Të dhënat për Maqedoninë tregojnë se rreziku i varfërisë te fëmijët mbetet dukshëm më i lartë se mesatarja kombëtare, duke vënë në pah nevojën për mbrojtje sociale më efektive dhe masa të orientuara drejt familjeve me të ardhurat më të ulëta.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër