Shkup, 11 gusht Zhurnal.mk – Kryetari i degës komunale të VMRO-DPMNE-së në Gostivar, Martin Andonovski, ka kërkuar që ish-ministri i Shëndetësisë dhe lideri i LSDM-së, Venko Filipçe, si dhe Renata Mlladenovska, të përgjigjen menjëherë pse, siç thekson ai, kanë heshtur për vite me radhë për problemin me ujin e ndotur në Gostivar.
Andonovski akuzon se pikërisht ata që gjatë viteve të kaluara kanë pasur fuqi politike dhe institucionale, sot po përpiqen ta zhvendosin përgjegjësinë, në vend që të japin përgjigje për veprimet e tyre.
„Në vend që sot të moralizojnë, duhet të përgjigjen pse nuk kanë vepruar pas më shumë se 400 raporteve të pranuara, të cilat kanë treguar për ujë të ndotur“, deklaroi Andonovski.
Ai kërkon që qytetarët e Gostivarit të marrin përgjigje se përse, siç pretendon ai, për vite me radhë kanë qenë të ekspozuar ndaj ujit të ndotur dhe pse institucionet e udhëhequra nga LSDM-ja dhe Filipçe nuk kanë ndërmarrë masa përkatëse.
Sipas Andonovskit, situata aktuale është adresuar me ndërhyrjen e Qeverisë së udhëhequr nga VMRO-DPMNE-ja, përmes sigurimit të ujit teknik dhe ujit të ambalazhuar për pije për qytetarët.
„Paralelisht me zgjidhjen e situatës aktuale, duhet të zbardhet edhe e kaluara“, ka porositur Andonovski.
Kryetari i degës komunale të VMRO-DPMNE-së në Gostivar i bëri gjithashtu thirrje Prokurorisë Publike që të hapë lëndë me detyrë zyrtare dhe të hetojë dokumentet të cilat, siç thotë ai, janë bërë publike.
Andonovski vlerëson se qytetarët kanë të drejtë të dinë se çfarë ka ndodhur me cilësinë e ujit në Gostivar dhe kush mban përgjegjësi nëse institucionet nuk kanë reaguar me kohë ndaj raporteve të dorëzuara.
https://www.facebook.com/reel/2253178545292926
