Editorial / 25 vjet MO – Koha për zbatim të plotë, jo për përplasje politike

Nga R.ZH
1,116 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 12 gusht, Zhurnal.mk – Pushteti dhe opozita do të festojnë ndaras 25 vjetorin e nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit. Kjo ngjarje që i dha fund konfiktit të armatosur në vitin 2001 është me rëndësi të veçantë të kujtohet e të shënohet, por mbi të gjitha është më e rëndësishme që kjo Marrëveshje të implementohet tërësisht, të respktohet fryma e saj dhe mos t’i vihen stërkëmbëza çdoherë. Secili ka të drejtë të festojë, por më së shumti të partitë shqiptare të kujdesen për zbatimin e saj se sa për festimin e saj, shkruan “Zhurnal.mk”.

Festime të ndara nga partitë shqiptare

Me rastin e shënimit të 25-vjetorit të nënshkrimit të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, Ministria për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive, nën patronazhin e ministrit Agon Ferati, organizon një program dyditor me të cilin do të shënohet një nga kthesat më të rëndësishme në historinë e re të Maqedonisë së Veriut.

Programi do të zhvillohet më 12 dhe 13 gusht 2026 dhe do të përfshijë një panel-diskutim dhe një ceremoni qendrore, ku do të marrin pjesë përfaqësues të institucioneve, të jetës politike dhe shoqërore, si dhe mysafirë nga vendi dhe rajoni.

Ngjarja qendrore do të mbahet më 13 gusht (e enjte), me fillim në orën 19:30, në Urën e Gurit në Shkup.

Ndërkohë, tradicionalisht, edhe këtë vit, nën patronatin e Kryetarit të Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, do të shënohet 25-vjetori i nënshkrimit të Marrëveshjes Paqësore të Ohrit, njoftojnë nga BDI. Në kuadër të programit, sic thuhet në komunikatë, do të prezantohet një film dokumentar me ngjarjet më të rëndësishme të vitit 2001 dhe procesin që çoi drejt nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit.

Marrëveshja e Ohrit të kujtohet me vepra dhe jo me fjalë!

Shënimi i 25-vjetorit paraqet një mundësi për të rikujtuar rëndësinë e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, rolin e saj në avancimin e marrëdhënieve ndëretnike dhe rëndësinë e saj për ndërtimin e një shoqërie gjithëpërfshirëse dhe demokratike.

Një pjesë të rëndësishme të arritjes së kësaj Marrëveshje ka edhe angazhimi i madh i faktorit ndërkombëtar dhe miqve perëndimore, i cili luajti rol vendimtar në ndërmjetësimin dhe arritjen e zgjidhjes politike e paqësore.

Marrëveshja e Ohrit duhet të trajtohet jo vetëm si ngjarje historike, por si një mësim për të kuptuar të tashmen dhe për të ndërtuar të ardhmen, duke u analizuar edhe pse ajo ishte zgjidhja më e mirë paqësore për përfundimin e luftës së vitit 2001.

Cilat mbeten sfidat e Marrëveshjes së Ohrit!

Pikat kryesore që vlerësohen si të papërmbushura ose të zbatuara vetëm pjesërisht nga Marrëveshja e Ohrit lidhen me përfaqësimin e drejtë dhe adekuat, përdorimin e plotë të gjuhës shqipe pa kufizime, dhe decentralizimin e plotë ekonomik.

Edhe pse aspekti normativ dhe ndryshimet kushtetuese kryesisht kanë përfunduar, zbatimi praktik në jetën e përditshme dhe stabiliteti i këtyre të drejtave mbeten sfida kryesore.

Çështje e ndjeshme që ende nuk gjen zbatim është zgjidhja e statusit të ish-ushtarëve të UÇK-së, i cili parashikon integrimin shoqëror dhe sigurimin social apo shëndetësor për ish-pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare (UÇK). Një ligj është sjellë për forcat shtetërore të sigurisë, por jo edhe për ish ushtarët e UÇK-së.

Sfidë tjetër mbetet Ligji për përfaqësim të drejtë. Pas shfuqizimit të mekanizmit të “Balancuesit” për punësimet etnike, ka mbetur e pa realizuar kërkesa për miratimin e një ligji të veçantë që garanton me Kushtetutë përfaqësimin e drejtë të shqiptarëve në administratë pa manipulime partiake.

Në kuadarë të Marrëveshjes së Ohrit ende ka pengesa administrative me dygjuhësinë, ku forca të ndryshme pengojnë zbatimin e plotë të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve në institucionet qendrore dhe disa komuna. Shpesh shfaqen tendenca politike për largimin e tabelave rrugore dygjuhëshe ose moskthimin e dokumenteve në shqip.

Problem tjetër i rëndësishëm që parashikon zgjidhje sipas Marrëveshjes së Ohrit është edhe decentralizimi i plotë financiar. Komunat me shumicë shqiptare vuajnë nga mungesa e pavarësisë së plotë financiare, pasi pushteti qendror ende mban pjesën më të madhe të buxhetit, duke mos lejuar zhvillim të barabartë rajonal.

Më e rëndësishme është që çdo sfidë e Marrëveshjes së Ohrit të zgjidhjet sipas frymës së saj pozitive. Prandaj, vendimet politike shpesh shihen si selektive dhe të kushtëzuara nga vullneti i partive në pushtet dhe kjo cenon parimin e ndërtimit të një shteti multietnik të bazuar në barazi të plotë qytetare, shkruan “Zhurnal.mk”.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër