Kedhi: Inflacioni në nivelet më të larta, përparësi ulja e kostos së jetesës

Nga D. V.
624 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 12 gusht, Zhurnal.mk – Nënkryetari i Partisë Demokratike, Nikola Kedhi deklaroi sot se inflacioni në Shqipëri është në nivelet më të larta dhe kosto e jetesës sot është kthyer në një emergjencë reale për familjet shqiptare.

Në një deklaratë për medie, Kedhi u shpreh se inflacioni në korrik arriti nivelin më të lartë në mbi dy vite.

“Rritja vjen pikërisht nga ato gjëra pa të cilat një familje nuk mund të bëjë: ushqimi, shtëpia dhe transporti. Sot ushqimet në Shqipëri kushtojnë më shumë se mesatarja e Bashkimit Europian. Të ardhurat tona janë vetëm 43% e mesatares së BE-së. Ja kemi kaluar Europës me çmimet, por krahasohemi me vendet më të varfra për mirëqenien. Pasojën e shohim te buxheti i familjes”, shtoi ai.

Sipas tij, “familja shqiptare shpenzon rreth 40% të gjithë buxhetit vetëm për t’u ushqyer, ndërkohë që mesatarja e Bashkimit Europian është rreth 13%”.

Kedhi theksoi se çmimet janë të larta dhe pagat të ulëta sepse ekonomia jonë prodhon pak, konkurrenca është deformuar dhe tregjet janë përqendruar në pak duar.

“Prodhimi vendas është dobësuar, varësia nga importi është rritur dhe taksat e kostot artificiale kalojnë zinxhir në zinxhir deri te konsumatori. Ndërkohë miliarda orientohen drejt ndërtimit dhe pasurive të paluajtshme, ku kanalizohen edhe para të pista, në vend të industrisë, teknologjisë, bujqësisë dhe eksporteve”, theksoi ai.

Ndaj, Kedhi theksoi se për Partinë Demokratike, ulja e kostos së jetesës është një përparësi absolute ekonomike dhe sociale.

“Ne kemi propozuar vazhdimisht në Parlament, me iniciativa konkrete përcaktimin me ligj të minimumit jetik dhe indeksimin e tij sipas kostos reale të jetesës. Kemi propozuar një sistem fiskal më të thjeshtë dhe më të ulët: taksë të sheshtë 10%, mbrojtje të të ardhurave të ulëta nga tatimi, zero tatim për biznesin e vogël dhe profesionet e lira dhe ulje të barrës fiskale mbi karburantin. Kemi propozuar uljen e TVSH-së, incentiva për të inkurajuar prodhimin dhe industrinë, e mekanizma të tjerë për të lehtësuar drejtpërdrejt barrën e produkteve bazë për familjet që kanë më shumë nevojë. Të gjitha janë refuzuar me arrogancë nga mazhoranca”, shtoi ai.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër