Shkup, 13 gusht Zhurnal.mk – Zëvendëskryeministri i parë i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Bekim Sali, në kuadër të shënimit të 25-vjetorit të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, theksoi rëndësinë historike të marrëveshjes dhe rolin e saj në ndërtimin e një shoqërie më të barabartë dhe më kohezive.
Sali tha se Marrëveshja e Ohrit, e arritur në kushte të vështira, përveçse dokument politik, paraqet edhe një besëlidhje historike për mënyrën se si duhet të ndërtohet shteti i përbashkët.
„Sot, një çerekshekull më vonë, mund të themi me bindje të plotë se Marrëveshja e Ohrit solli një transformim të rëndësishëm të realitetit politik dhe shoqëror të vendit tonë. Ajo krijoi themele të reja për një shtet ku të gjithë qytetarët, pavarësisht përkatësisë etnike, gjuhësore, kulturore ose fetare, duhet ta ndjejnë veten pjesë të barabartë të tij në të drejta dhe detyrime“, deklaroi Sali.
Ai theksoi se barazia nuk është vetëm kërkesë kushtetuese apo detyrim institucional, por themel mbi të cilin ndërtohet besimi ndërmjet qytetarëve dhe institucioneve.
Duke folur për 25 vitet pas Marrëveshjes së Ohrit, Sali tha se një nga mësimet më të rëndësishme është se dallimet nuk duhet të shihen si dobësi, por si vlerë dhe potencial për zhvillim.
„Bashkëjetesa nuk do të thotë vetëm të jetojmë pranë njëri-tjetrit, por edhe me njëri-tjetrin dhe për njëri-tjetrin. Bashkëjetesa e vërtetë do të thotë të ndërtojmë së bashku dhe të marrim së bashku përgjegjësinë“, theksoi ai.
Zëvendëskryeministri i parë vlerësoi edhe rolin e shqiptarëve dhe komuniteteve të tjera joshumicë në stabilitetin, zhvillimin dhe perspektivën evropiane të vendit.
Sipas tij, barazia nuk duhet të shihet si humbje e dikujt dhe fitore e dikujt tjetër, por si një fitore e përbashkët.
„Kur një komunitet përparon, përparon i gjithë shteti. Kur një qytetar ndihet i respektuar, forcohet besimi në institucione. Kur të gjithë ndihen pronarë të së ardhmes së përbashkët, arrijmë të ndërtojmë një shtet të qëndrueshëm dhe koheziv“, tha Sali.
Ai theksoi se sot, 25 vjet pas 13 gushtit 2001, sfidat e vendit janë të lidhura me integrimin evropian, zhvillimin ekonomik dhe mirëqenien e qytetarëve.
„Ne sot nuk përballemi më me pyetjen nëse mund të jetojmë së bashku, por si mund ta ndërtojmë së bashku një shtet më të zhvilluar, më të drejtë dhe më evropian“, tha Sali.
Duke folur për rrugën evropiane të Maqedonisë së Veriut, ai theksoi se integrimi në Bashkimin Evropian duhet të jetë një projekt i përbashkët kombëtar dhe sukses i përbashkët i të gjithë qytetarëve, ashtu siç NATO-ja paraqet një sukses të përbashkët.
Sali shprehu mirënjohje për nënshkruesit e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, si dhe për Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian për mbështetjen e tyre gjatë këtyre 25 viteve.
Në fund, ai tha se 25-vjetori nuk duhet të jetë vetëm përkujtim i së kaluarës, por edhe zotim për të ardhmen.
„Do të vazhdojmë të ndërtojmë ura e jo mure. Do ta mbrojmë barazinë, do ta forcojmë demokracinë dhe shtetin e së drejtës, kohezionin shoqëror dhe do të punojmë për një shtet ku askush nuk do të ndihet i përjashtuar, i papërfaqësuar dhe i huaj“, përfundoi zëvendëskryeministri i parë Bekim Sali.
