Kakavijë, 15 gusht Zhurnal.mk – Fluksi i udhëtarëve drejt dhe nga Greqia është rritur ndjeshëm gjatë kësaj fundjave, me mijëra qytetarë që kanë kaluar në dy prej pikave kryesore kufitare në jug të vendit, Kakavijë dhe Qafë Botë.
Në pikën e kalimit kufitar të Kakavijës, gjatë datës 14 gusht, shërbimet kufitare kanë përpunuar gjithsej 11,755 shtetas në hyrje-dalje. Prej tyre, 7,618 shtetas kanë hyrë në Shqipëri, ndërsa 4,137 kanë dalë nga vendi.
Në të njëjtën pikë kufitare janë përpunuar edhe 3,459 automjete, nga të cilat 2,259 në hyrje dhe 1,200 në dalje.
Fluks i lartë automjetesh është shënuar edhe në pikën kufitare të Qafë Botës, ku janë krijuar radhë në të dyja anët e pikës së kalimit. Udhëtarët po presin për përfundimin e procedurave të kontrollit kufitar, ndërsa ngarkesa lidhet me lëvizjet e shumta të turistëve dhe pushuesve gjatë sezonit veror.
Në 24 orët e fundit, në Qafë Botë kanë hyrë dhe dalë rreth 10 mijë shtetas shqiptarë dhe të huaj. Sipas burimeve nga pika kufitare, fluksi është më i madh në hyrje të Shqipërisë sesa në dalje.
Në anën shqiptare të Qafë Botës po punohet me katër sportele, ndërsa pala greke ka në funksion dy sportele, duke sjellë pritje për udhëtarët në të dyja anët e kufirit.
Dy pikat kufitare vijojnë të përballojnë një ngarkesë të lartë për shkak të lëvizjeve të turistëve, pushuesve dhe qytetarëve që udhëtojnë drejt Greqisë apo kthehen në Shqipëri.
Me rritjen e fluksit gjatë ditëve të pikut të sezonit veror, autoritetet kufitare po punojnë për menaxhimin e situatës dhe për përshpejtimin e procedurave, me qëllim shmangien e pritjeve të gjata për udhëtarët.
