Shkup, 16 gusht Zhurnal.mk – Për 4 vjet e gjysmë, shteti ka mbledhur gati 2.4 milionë euro nga tarifa për përdorimin e qeseve të biodegradueshme për blerje. Paratë janë shpenzuar për kosha dhe kontejnerë, si dhe për një fushatë për rritjen e ndërgjegjësimit për selektimin e mbetjeve.
Nga Ministria e Mjedisit Jetësor, në një përgjigje për Telma, thonë se që nga hyrja në fuqi e ligjit, i cili përcakton pagesën e një tarife për përdorimin e qeseve plastike, deri më 10 korrik janë mbledhur 2.37 milionë euro.
Nga ministria thonë se koshat dhe kontejnerët me ngjyrë blu dhe të verdhë janë shpërndarë në të gjitha komunat e vendit që në vitin 2023.
Me këto para janë blerë 30.018 kosha me kapacitet prej 120 litrash, me çmim prej 1.427 denarësh për njësi pa TVSH, si dhe 3.016 kontejnerë me kapacitet prej 1.100 litrash, me çmim prej 12.027 denarësh për njësi.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Mjedisit, për këta kosha dhe kontejnerë për mbetjet e selektuara, me TVSH të përfshirë, janë shpenzuar gjithsej mbi 1.5 milionë euro.
Pjesa tjetër e parave është përdorur për realizimin e fushatës kombëtare publike me titull „Ndryshim pozitiv“, e cila u zhvillua gjatë viteve 2024 dhe 2025, me qëllim rritjen e ndërgjegjësimit të qytetarëve për selektimin dhe deponimin e duhur të mbetjeve.
Megjithatë, Ministria e Mjedisit nuk ka dhënë përgjigje konkrete se sa ka kushtuar saktësisht fushata dhe cila agjenci e ka fituar tenderin për hartimin dhe realizimin e saj.
Dhe ndërsa shteti edukon qytetarët se si mund të kontribuojnë individualisht për një mjedis më të pastër, në të njëjtën kohë, qytetarët e Shkupit prej vitesh ankohen për nivelin e pakënaqshëm të higjienës në hapësirat publike.
Përveç kësaj, nga Dhoma e Turizmit dhe Hotelerisë paralajmërojnë se papastërtia në kryeqytet, por edhe në qendrat më të mëdha turistike të vendit, tashmë po i dekurajon turistët e huaj. Ata u bëjnë thirrje pushteteve lokale që ta kryejnë siç duhet detyrën e tyre.
Ligji, i cili hyri në fuqi më 1 dhjetor 2021, ndaloi plotësisht përdorimin e qeseve plastike njëpërdorimëshe në markete dhe dyqane.
Për qeset e biodegradueshme paguhet një tarifë prej 15 denarësh, e cila duhet të evidentohet veçmas dhe të derdhet në një llogari të posaçme të Ministrisë së Mjedisit.
