Haxhiu për protestat e paralajmëruara: Nëse janë për Specialen, opozita duhet të kërkojë falje

Nga D. V.
811 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Prishtinë, 18 gusht, Zhurnal.mk – U.D. presidentja Albulena Haxhiu ka reaguar ndaj paralajmërimeve të partive opozitare për protesta në shtator, duke thënë se nëse ato lidhen me vendimin e pritshëm të Gjykatës Speciale, opozita duhet të kërkojë falje për, siç tha ajo, dëmin që i është shkaktuar Kosovës, raporton Ekonomia Online.

Haxhiu tha se ende nuk dihet se cili do të jetë vendimi i Gjykatës Speciale, ndërsa theksoi se ajo dhe Lëvizja Vetëvendosje nuk e kanë votuar themelimin e kësaj gjykate.

“Nëse është për vendimin e Speciales, ne ende nuk e dimë se cili do të jetë vendimi i Gjykatës Speciale. E unë uroj shumë që Gjykata ta korrigjojë kërkesën e padrejtë të Prokurorisë Speciale. Nëse e kanë për këtë arsye, atëherë unë mund t’ju rikujtoj atyre, unë nuk e kam votuar Gjykatën Speciale. E as subjekti Vetëvendosje, të cilin ata sot e akuzojnë. Prandaj është mirë që të kërkojnë falje publike për dëmin e madh që ia kanë shkaktuar vendit”, tha ajo.

Haxhiu tha se gjatë kohës sa Vetëvendosje ishte në qeverisje, institucionet kishin nisur adresimin e përgjegjësive për krimet e luftës, duke kërkuar që të fuqizohen institucionet vendore të drejtësisë.

“Ne kemi kërkuar në vazhdimësi që të fuqizohen institucionet tona të drejtësisë. Përsëri këtë që e kemi bërë në mandatin tonë qeverisës. Kur ne kemi qenë në qeverisje, kemi filluar me adresimin e përgjegjësive për adresimin e krimeve të luftës. Dhe unë besoj që secili pajtoheni me ne, me mua, që tash ka një seriozitet në adresimin e krimeve të luftës, në polici dhe në prokurori speciale. Por ata kanë zgjedhur një rrugë të gabuar dhe për të cilën duhet të mbahen përgjegjës. Unë këtë e kam thënë pa asnjë hezitim kudo dhe kurdo”, tha ajo.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër