Rizvanolli: KEK do të eksportojë deri në 73.2 milionë euro thëngjill në Maqedoninë e Veriut

Nga D. V.
835 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Prishtinë, 18 gusht, Zhurnal.mk – Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka bërë të ditur se Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) do të eksportojë përgjatë tri viteve deri në 73.2 milionë euro thëngjill në Maqedoninë e Veriut.

Përmes një postimi në Facebook, Rizvanolli ka thënë se për herë të parë kontrata është lidhur drejtpërdrejt mes dy kompanive publike, KEK-ut dhe kompanisë maqedonase ESM.

Sipas saj, çmimi i përcaktuar është 24.4 euro për ton, pa TVSH, të cilin e ka cilësuar si dukshëm më të favorshëm për KEK-un krahasuar me kontratat e mëparshme që realizoheshin përmes ndërmjetësuesve.

“Çmimi prej 24.4 Euro për ton, pa TVSH, është shumëfish më i favorshëm për KEK në krahasim me kontratat e kaluara që bëheshin përmes ndërmjetësuesve. Për shembull, herën e fundit që Kosova ka eksportuar në Maqedoni të Veriut, KEK e ka shitur thëngjillin në një tender të jashtëligjshëm me çmim prej vetëm 8 Euro, duke përfshirë tantiemën prej 3 Euro dhe TVSh-në prej 18%”, ka shkruar Rizvanolli.

Ajo ka theksuar se eksporti i thëngjillit nuk do të ndikojë në prodhimin e energjisë elektrike në Kosovë.

Sipas Rizvanollit, ESM do të jetë përgjegjëse për eskavimin dhe transportin e thëngjillit që do ta blejë nga KEK-u.

“Përgjatë 3 viteve, KEK do të eksportojë deri në 73.2 milionë Euro thëngjill në Maqedoni të Veriut”, ka shkruar Rizvanolli.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër