Tiranë, 18 gusht, Zhurnal.mk – Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit ka reaguar lidhur me disa pasaktësi të publikuara së fundmi mbi funksionimin e Diellës, duke sqaruar mënyrën se si është ndërtuar dhe operon sistemi i inteligjencës artificiale në portalin e-Albania.
Në një njoftim të publikuar në e-Albania, AKSHI thekson se faqja që shfaqet për përdoruesin përbën ndërfaqen e sistemit dhe nuk është vetë sistemi. Sipas institucionit, kur një qytetar i kërkon Diellës një dokument, kërkesa përpunohet në infrastrukturën qeveritare, ku funksionon sistemi i inteligjencës artificiale i zhvilluar nga AKSHI në bashkëpunim me Microsoft, duke përdorur modele të OpenAI në Azure.
“Faqja është ajo që shihet; sistemi që kryen punën ndodhet pas saj”, sqaron AKSHI.
Agjencia argumenton se, për arsye sigurie, një sistem i ndërtuar sipas standardeve nuk ekspozon në kodin publik adresat e brendshme të serverëve, kredencialet apo çelësat sekretë.
Sipas AKSHI-t, mungesa e këtyre elementeve në kodin e faqes nuk dëshmon mungesën e sistemit, por lidhet me zbatimin e masave bazë të sigurisë.
AKSHI sqaron gjithashtu se emërtime të përgjithshme adresash në internet, si “aibot-api”, nuk kanë qenë dhe nuk janë pjesë e sistemit të Diellës apo të infrastrukturës së AKSHI-t. Për këtë arsye, sjellja apo përgjigjet e tyre, sipas agjencisë, nuk mund të përdoren si tregues për funksionimin e Diellës.
Sipas të dhënave të publikuara nga AKSHI, Diella është në shërbim brenda portalit e-Albania që prej janarit 2025 dhe deri tani ka përpunuar mbi 120 mijë dokumente zyrtare të vulosura elektronikisht, shifër që vijon të rritet.
AKSHI nënvizon se sistemi është zhvilluar në bashkëpunim me Microsoft, duke përdorur modele të OpenAI në Azure, ndërsa operon me mekanizma të dedikuar logimi dhe monitorimi.
“Një imazh, një avatar apo një faqe statike nuk mund të përpunojë dhe të vulosë dokumente zyrtare”, thuhet në reagim.
Në përfundim, AKSHI shprehet i hapur ndaj analizës, pyetjeve dhe debatit profesional, duke theksuar se kritika është e mirëpritur kur mbështetet në fakte dhe metoda që mund të provojnë përfundimet e pretenduara.
“Informimi i saktë i publikut është një përgjegjësi që na përket të gjithëve”, përfundon reagimi.
