Tiranë, 18 gusht, Zhurnal.mk – Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile informoi sot se në fshatin Tërbun (Pukë) vijon angazhimi i strukturave operacionale për shuarjen e plotë të vatrës së zjarrit.
Sipas AKMC-së, aktualisht situata është nën kontroll dhe nuk ka rrezik për zonat e banuara.
“Në terren po punojnë forcat zjarrfikëse, strukturat vendore, shërbimi pyjor, vullnetarët dhe Forcat e Armatosura, të mbështetura nga ajri me 2 helikopterë”, theksoi AKMC.
Zjarri i shfaqur pesë ditë më parë në Tërbun mori përmasa për shkak të favorizimit nga era. Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile vijon monitorimin e pandërprerë të situatës jo vetëm në Pukë, por në të gjithë territorin e vendit, në koordinim me prefekturat, bashkitë dhe strukturat e sistemit të Mbrojtjes Civile.
