235 infermiere patronazhi/ Në Tetovë një infermiere mbulon mbi 33 mijë banorë

Nga Xh M
755 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 18 gusht Zhurnal.mk – Ndërsa sistemi shëndetësor vazhdimisht flet për parandalimin dhe zbulimin e hershëm të sëmundjeve, shërbimi patronazh, i cili duhet të arrijë te qytetarët para se ata të bëhen pacientë, funksionon me gjithnjë e më pak staf dhe me dallime të mëdha nga një rajon në tjetrin. Në Maqedoni, në vitin 2024 kishte vetëm 235 infermiere patronazhi, ndërsa në rajonin shëndetësor të Tetovës një infermiere mesatarisht mbulonte më shumë se 33 mijë banorë.

Të dhënat nga Harta Shëndetësore e Institutit të Shëndetit Publik tregojnë se në nivel shtetëror, në vitin 2024, një infermiere patronazhi mbulonte mesatarisht 7.763 banorë. Por dallimet mes rajoneve janë dramatike.

Në Tetovë ishin të evidentuara vetëm pesë infermiere patronazhi, me një raport prej 33.479 banorësh për një infermiere. Në Gjevgjeli, një infermiere mbulonte më shumë se 31 mijë banorë, ndërsa në Shkup, me 58 infermiere, mesatarja ishte mbi 10.400 banorë për një infermiere patronazhi.

Problemin e ka rikthyer në vëmendje kryetarja e Shoqatës së Infermiereve, Mamive dhe Infermiereve Stomatologjike „Za nas“, Gordana Beshlievska, e cila në një intervistë për SDK.mk paralajmëron se mungesa e stafit tashmë po kufizon drejtpërdrejt qasjen në kujdesin shëndetësor parandalues.

Sipas të dhënave të Shoqatës, të cilat i transmeton SDK.mk, Komuna e Tetovës, me më shumë se 60 mijë banorë, ka vetëm pesë infermiere patronazhi, ndërsa Karposhi i Shkupit, me përafërsisht të njëjtin numër banorësh, ka vetëm dy.

Beshlievska thekson se standardet parashikojnë që një infermiere patronazhi të mbulojë nga 3.000 deri në 5.000 banorë në zonat urbane, ndërsa nga 2.000 deri në 4.000 banorë në zonat rurale.

Infermierja patronazhi nuk është punonjëse shëndetësore puna e së cilës kufizohet vetëm në vizitat te nënat dhe të porsalindurit. Ajo duhet të ndjekë zhvillimin e fëmijëve, të këshillojë prindërit, të punojë me të moshuarit dhe personat me sëmundje kronike, të identifikojë rreziqet dhe t’i drejtojë në kohë te mjeku.

Pikërisht për këtë arsye, dobësimi i këtij shërbimi ka pasoja më të gjera për të gjithë sistemin shëndetësor. Sa më pak njerëz të përfshihen në kujdesin parandalues në shtëpi, aq më e madhe është mundësia që problemet shëndetësore të zbulohen më vonë, kur tashmë nevojitet trajtim.

„Qëllimi i shërbimit patronazh është pikërisht që përdoruesit të mos bëhen pacientë“, thotë Beshlievska për SDK.mk.

Veçanërisht shqetësues është edhe trendi i uljes së numrit të stafit. Instituti i Shëndetit Publik në vitin 2023 kishte regjistruar 258 infermiere patronazhi në vend, ndërsa në Hartën Shëndetësore për vitin 2024 numri i tyre ka rënë në 235. Kjo do të thotë 23 infermiere më pak brenda vetëm një viti.

Në të njëjtën kohë është rritur edhe numri mesatar i banorëve që duhet të mbulojë një infermiere. Në vitin 2023, mesatarja ishte rreth 7.085 banorë për një infermiere patronazhi, ndërsa një vit më vonë kaloi mbi 7.760 banorë.

Beshlievska për SDK.mk thekson edhe një problem tjetër – moshën e stafit. Një pjesë e konsiderueshme e infermiereve janë të moshës 50 deri në 60 vjeç, ndërsa interesi i infermiereve të reja për të punuar në shërbimin patronazh është i ulët. Si arsye përmenden angazhimet e pasigurta në punë, mosnjohja e mjaftueshme e arsimit dhe kushtet e dobëta të punës.

Infermieret patronazhi në terren shpesh nuk kanë as kushtet bazë logjistike. Sipas Beshlievskës, disa prej tyre te shtëpitë e qytetarëve shkojnë në këmbë, me autobus ose me biçikletë, ndërsa njëkohësisht pritet të mbulojnë zona të mëdha dhe një numër të madh përdoruesish.

Mungesa e stafit është vetëm një pjesë e problemit. Shoqata „Za nas“ paralajmëron se Maqedonia ende nuk e ka të rregulluar plotësisht me ligj profesionin e infermierisë, me kompetenca autonome të përcaktuara qartë dhe sistem licencimi.

Në praktikë, kjo krijon situata në të cilat infermierja patronazhi mban përgjegjësi të madhe në terren, por jo gjithmonë ka një kornizë të qartë ligjore që përcakton se cilat veprime mund t’i ndërmarrë në mënyrë të pavarur.

Nga Shoqata kërkojnë ligj për profesionin e infermierisë, licencim, formimin e një dhome profesionale dhe përcaktim të qartë të kompetencave profesionale. Sipas tyre, pa një sistem të tillë është e vështirë të pritet që shërbimi patronazh të bëhet një shtyllë e vërtetë e shëndetësisë parandaluese.

Shifrat e Institutit të Shëndetit Publik tregojnë se problemi tashmë nuk mund të reduktohet vetëm në kushtet në të cilat punojnë infermieret. Me 235 infermiere patronazhi për të gjithë vendin dhe rajone ku një infermiere mbulon dhjetëra mijëra banorë, pyetja është se sa qytetarë në të vërtetë mund ta marrin në kohë kujdesin parandalues që sistemi parashikon t’u jetë i qasshëm.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër