Pesë vatra aktive zjarri dhe 3 nën kontroll, 382 forca në terren

Nga D V
563 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 20 gusht, Zhurnal.mk – Gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 35 vatra zjarri në territorin e vendit, nga të cilat 5 vijojnë aktive dhe 3 mbahen nën kontroll, bëri të ditur Ministria e Mbrojtjes.

Për përballimin e situatës janë angazhuar 382 forca operacionale dhe 40 automjete zjarrfikëse. Në mbështetje të operacioneve, Forcat e Armatosura kanë angazhuar 90 efektivë dhe 3 helikopterë të Forcës Ajrore.

Në Dajt, Tiranë, vijon puna për shuarjen e zjarrit, me mbështetjen e 30 efektivëve të Forcave të Armatosura. Sipas autoriteteve, nuk ka rrezik për zonat e banuara, ndërsa vatra e Priskës është nën kontroll.

Në Lufaj, Mirditë, vatra mbetet aktive me intensitet të ulët dhe forcat operacionale vijojnë ndërhyrjen. Nuk raportohet rrezik për zonat e banuara.

Në Tërbun–Gjegjan–Gojan, Pukë, situata në sipërfaqet pyjore të Tërbunit është përmirësuar, ndërsa vatrat në Gjegjan dhe Gojan vijojnë aktive. Gjatë operacionit është evakuuar një familje, ndërsa ndërhyrja e forcave ka shmangur rrezikun për banesën. Sot operacioni mbështetet nga 40 efektivë të FA-së dhe 2 helikopterë.

Në Gjorm të Sipërm, Malësi e Madhe, vijon puna për shuarjen e vatrës së riaktivizuar, ku janë angazhuar 2 automjete zjarrfikëse dhe 6 efektivë të MZSH-së.

Në Tunjë të Re, Gramsh, strukturat vijojnë punën për izolimin dhe shuarjen e zjarrit, ndërsa nuk raportohet rrezik për zonat e banuara.

Ndërkohë, Gurë-Lura mbetet nën kontroll pas shuarjes së zjarrit, ndërsa në Qafë Helmes vijon puna e forcave operacionale. Edhe në këtë zonë nuk raportohet rrezik për zonat e banuara.

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile vijon monitorimin e pandërprerë të situatës në të gjithë territorin, në koordinim me prefekturat, bashkitë dhe strukturat e sistemit të Mbrojtjes Civile.

Kapacitetet operacionale mbeten të angazhuara në terren dhe në gatishmëri për ndërhyrje, me prioritet mbrojtjen e jetës, banesave dhe pasurisë së qytetarëve.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër