Shkup, 20 gusht, Zhurnal.mk – Shkëmbimi i përvojave dhe praktikave të mira, si dhe hapja e mundësive të reja për bashkëpunim me Republikën Çeke në transformimin digjital dhe sigurinë kibernetike, ishin në fokus të seminarit “Digjitalizimi i administratës publike – shkëmbim përvojash dhe praktikash të mira me Republikën Çeke”, i organizuar sot nga Ministria e Transformimit Digjital.
Ministri i Transformimit Digjital, Stefan Andonovski, priti zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Jashtëm të Çekisë, Petr Macinka, pas çka të dy ministrat me fjalime përshëndetëse hapën zyrtarisht seminarin.
Andonovski theksoi se digjitalizimi nuk është vetëm proces teknologjik, por transformim thelbësor i mënyrës se si funksionon shteti dhe si qytetarët i realizojnë të drejtat e tyre dhe i përdorin shërbimet publike.
„Ajo që duam të arrijmë është që shteti të jetë më i thjeshtë dhe më afër qytetarëve dhe kompanive, me shërbime të qasshme, të shpejta dhe të lehta për përdorim. Digjitalizimi ka kuptim vetëm nëse sjell përmirësim real në përditshmërinë – më pak hapa administrativë, më pak pritje dhe më shumë siguri e parashikueshmëri për çdo qytetar dhe kompani,“ tha Andonovski.
Ai nënvizoi se Ministria po punon në zhvillimin e shërbimeve digjitale, lidhjen më të mirë të institucioneve, përmirësimin e interoperabilitetit dhe krijimin e një infrastrukture digjitale më të sigurt.
Në diskutim u vu theks i veçantë edhe te siguria kibernetike si pjesë e domosdoshme e procesit të digjitalizimit. „Sa më shumë shërbime dhe procese digjitalizohen, aq më e rëndësishme është që qytetarët të kenë besim se të dhënat e tyre janë të sigurta dhe se sistemet e shtetit janë të qëndrueshme. Prandaj digjitalizimi dhe siguria kibernetike duhet të ecin dorë për dore,“ theksoi ministri.
Delegacioni çek prezantoi përvojat dhe praktikat e suksesshme të Republikës Çeke në digjitalizimin e administratës publike. Në kuadër të diskutimit u shqyrtuan mundësitë për bashkëpunim të mëtejshëm, krijimin e partneriteteve dhe realizimin e iniciativave e projekteve të përbashkëta, përfshirë edhe në fushën e sigurisë kibernetike.
Andonovski shprehu bindjen se seminari do të jetë fillim i iniciativave të reja, partneriteteve dhe projekteve konkrete mes dy vendeve në fushën e transformimit digjital.
