Qytetarët shqetësohen nga rreziku i infektimit dhe shtrenjtimi i preparateve kundër mushkonjave

Nga Xh M
769 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 22 gusht Zhurnal.mk – “Epidemia e mushkonjave nuk po ndikon vetëm në shëndetin e qytetarëve, por edhe në xhepin e tyre. Me rritjen e rasteve të etheve të Nilit Perëndimor, është rritur ndjeshëm edhe kërkesa për mjetet mbrojtëse, duke bërë që çmimet të shtrenjtohen, ku shembull një sprej kundër mushkonjave me vetëm 100 mililitra, kushton të paktën 250 denarë”.

Qytetarët thonë se pos frikës nga pickimi i mushkonjave, po përballen edhe me kosto të larta të mjeteve mbrojtëse. Ata thonë se autoritetet duhet të reagojnë më shpejt dhe spërkatjet e tyre duhet të jenë më të shpeshta, me qëllim mbrojtjen e qytetarëve.

“Për mushkonjat mos pyet, jemi katastrofë. I mbyllim dyert, e lëshojmë kondicionerin dhe nuk e hapim derën e ballkonit”, tha një qytetar.

“Tani jam kthyer nga pushimet dhe nuk jam e njoftuar mirë me situatën. Është shqetësuese. Duke pasur parasysh të ardhurat, në përgjithësi te popullata, mendoj se gjithçka është një ngarkesë e konsiderueshme për buxhetin, veçanërisht tani i përdorim shpesh”, u shpreh qytetarja.

“Ja këtu më ka pickuar. A është pikërisht nga ajo mushkonjë apo diçka tjetër, nuk e di. Vendos ndonjë parfum ose diçka të tillë si mbrojtje. Përndryshe nuk është në rregull. Dëgjoj tani në televizor se madje kanë vdekur disa njerëz nga mushkonjat. Ka disa të rinj që janë ende në spital. Sipas meje mushkonja do të ketë gjithmonë, por duhet edhe të spërkatet. Çmimet janë katastrofë”, thotë një qytetar.

Nga komuna e Çairit bëjnë të ditur se po vazhdojnë me masat parandaluese dhe se deri më tani nuk është evidentuar asnjë lokacion me ujë të ndenjur në territorin e saj. Megjithatë, autoritetet njoftojnë se monitorimi i terrenit do të vazhdojë, ndërsa u bëjnë thirrje qytetarëve të mos lënë ujë të grumbulluar në oborre, ballkone apo enë të ndryshme, dhe të raportojnë çdo vatër të mundshme, me qëllim parandalimin e përhapjes së mushkonjave dhe mbrojtjen e shëndetit publik. Ministri i Shëndetësisë Klekovski njoftoi dje se janë regjistruar rastet e para me të prekur edhe në komunat Çair dhe Qendër.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër