Topi me të cilin Diego Maradona shënoi golin e famshëm me dorë ndaj Anglisë në Kupën e Botës 1986 është shitur në ankand për 2.9 milionë euro.
Maradona e dërgoi topin në rrjetë duke e goditur me dorë, në fitoren 2:1 të Argjentinës ndaj Anglisë në çerekfinale.
Pas ndeshjes, legjenda argjentinase e përshkroi golin si të shënuar “pak me kokën e Maradonës dhe pak me dorën e Zotit”.
Në të njëjtën ndeshje, Maradona realizoi edhe atë që më vonë u cilësua si “Goli i Shekullit”, pasi dribloi pesë futbollistë anglezë përpara se ta dërgonte topin në rrjetë.
Topi Adidas Azteca u shit për 3.3 milionë dollarë (2.9 milionë euro) në ankandin e Heritage Auctions në Shtetet e Bashkuara, ndonëse pritej që çmimi të arrinte rreth 10 milionë dollarë (8.5 milionë euro).
Topi ishte ruajtur për më shumë se tri dekada nga gjyqtari tunizian Ali Bin Nasser, i cili e mori me vete pas përfundimit të ndeshjes.
Në vitin 2023, Bin Nasser nënshkroi një deklaratë duke konfirmuar se ky ishte i vetmi top i përdorur gjatë asaj ndeshjeje. Autenticiteti i tij është konfirmuar edhe përmes verifikimeve të pavarura.
Bin Nasser e kishte shitur topin në vitin 2022 për 2.37 milionë dollarë (2.03 milionë euro).
Pronari i ri e nxori sërish në ankand në vitin 2023, por atëherë nuk u shit pasi ofertat nuk arritën vlerën minimale të përcaktuar.
Ndërkohë, fanella që Maradona kishte veshur në atë ndeshje u shit për 8.30 milionë euro në një ankand në vitin 2022.
Kështu, dy prej objekteve më ikonike nga një prej ndeshjeve më të famshme në historinë e futbollit kanë arritur vlera marramendëse në tregun e koleksionistëve.

