Tiranë, 25 gusht, Zhurnal.mk – Shqipëria vijon të shënojë rritje të fluksit të të huajve, me gati 2 milionë hyrje të regjistruara vetëm gjatë muajit korrik 2026.
Sipas të dhënave të INSTAT, në korrik në territorin shqiptar hynë 1 955 099 shtetas të huaj, në rritje me 7,1% krahasuar me korrikun e vitit 2025, kur u regjistruan 1 825 490 hyrje.
Rritja e flukseve konfirmohet edhe nga shifrat për shtatë muajt e parë të vitit. Nga janari deri në korrik 2026, në Shqipëri janë regjistruar 7 014 168 hyrje të shtetasve të huaj, ose 6, 5% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Evropa vijon të jetë burimi kryesor i vizitorëve të huaj. Në korrik u regjistruan 1 833 396 hyrje nga vendet evropiane, ndërsa pjesën më të madhe e përbëjnë vizitorët nga Evropa Jugore, me 1 178 557 hyrje.
Pas saj renditet Evropa Qendrore/Lindore me 231 450 hyrje, Evropa Perëndimore me 224 975 dhe Evropa Veriore me 132 728 hyrje.
Të dhënat tregojnë gjithashtu një zgjerim të tregjeve turistike. Në korrik u regjistruan 67 928 hyrje nga Amerika, 16 723 nga Azia Lindore dhe Paqësori, 9 041 nga Afrika dhe 6 487 nga Azia e Jugut.
Sipas INSTAT, 99% e hyrjeve të shtetasve të huaj gjatë korrikut ishin për qëllime personale, tregues që u rrit me 7,3% krahasuar me të njëjtin muaj të vitit 2025. Ndërkohë, hyrjet për qëllime biznesi dhe profesionale shënuan rënie me 8,9%.
Në total, gjatë korrikut në Shqipëri hynë 2 826 615 shtetas shqiptarë dhe të huaj, 6,1% më shumë se një vit më parë. Rritja e numrit të vizitorëve të huaj vijon të jetë një nga treguesit kryesorë të ecurisë së sezonit turistik 2026.
