Gogu: Drejtësia duhet të jetë shërbim, jo vetëm gjykim

Nga D V
783 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 26 gusht, Zhurnal.mk – Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, kërkon që matja e reformës në drejtësi të mos kufizohet vetëm te numri i çështjeve të zgjidhura, kohëzgjatja e tyre apo cilësia e vendimeve, por të përfshijë edhe përvojën konkrete të qytetarit në kontaktin e parë me sistemin.

Në editorialin e dytë të serisë “Shënime mbi drejtësinë”, me titull “Drejtësia nuk nis në gjykatë”, ministri e vendos theksin te aksesi në drejtësi, duke nisur nga informacioni dhe ndihma juridike falas, deri te ndërmjetësimi, shërbimet digjitale dhe gjuha e përdorur nga institucionet.

“Përvoja e qytetarit, nga trotuari ku shkel, te dera që çelet e te përgjigjja që merr, duhet të shndërrohet në tregues të performancës e jo të mbetet shënim në fund të faqes”, shkruan Gogu.

Sipas tij, qytetari nuk e ndan përvojën në sportel nga vendimi që merret në përfundim të procesit. Për këtë arsye, mekanizmat që e ndihmojnë të gjejë zgjidhje, ndihma juridike, ndërmjetësimi, informimi dhe shërbimet elektronike, nuk mund të konsiderohen thjesht si pjesë administrative, por si kontakti i parë i qytetarit me drejtësinë.

Ministri ndalet edhe te digjitalizimi, i cili, sipas tij, ka vlerë vetëm kur e afron shtetin me qytetarin.

“Një platformë që kërkon durimin e një juristi për t’u përdorur, nuk është më shërbim, por një pengesë e re me fytyrë bashkëkohore”, thekson ai.

Gogu sqaron se përmirësimi i aksesit nuk prek pavarësinë e gjykatave, ndërsa nënvizon përgjegjësinë e institucioneve për ta bërë informacionin të kuptueshëm dhe shërbimin të arritshëm.

“Aksesi në drejtësi është prova e përditshme nëse sundimi i ligjit zbatohet apo mbetet në letër. Jo raportet e Brukselit, por dera që njeriu gjen hapur ose mbyllur”, përfundon ministri.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër