Reagon OVL e UÇK-së: Aktakuza ndaj Shehollit të mos trajtohet si çështje e përgjegjësisë individuale, por si çështje e sigurisë kombëtare

Nga D V
666 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Prishtinë, 26 gusht, Zhurnal.mk – OVL UÇK, kërkon që aktakuza ndaj Fatmir Shehollit të mos trajtohet thjesht si çështje e përgjegjësisë individuale, por si çështje e sigurisë kombëtare të Kosovës.

Përmes një njoftimi për media thuhet se: “Respektojmë prezumimin e pafajësisë; fajësia vërtetohet vetëm përmes procesit gjyqësor të pavarur, profesional dhe transparent. Por akuzat për spiunazh dhe shantazh, përfshirë bashkëpunimin e supozuar me BIA-n e Serbisë, i detyrojnë institucionet të gjurmojnë çdo kontakt, ndërmjetës, burim, komunikim, lidhje financiare dhe marrës të materialeve të ndjeshme”.

Tutje në njoftim thuhet se nëse provat zbulojnë rrjete më të gjera, ato duhen shpërbërë pa hezitim.

“Kosova nuk duhet të tolerojë struktura të fshehta që grumbullojnë informacione, formësojnë narrativa apo u shërbejnë interesave të huaja kundër sigurisë, sovranitetit dhe integritetit të saj territorial”, thuhet në njoftim.

Po ashtu siç thuhet në njoftim: “Institucionet duhet të vërtetojnë gjithashtu nëse shërbimet inteligjente armike kanë mbledhur, përcjellë apo shfrytëzuar materiale për luftën e drejtë çlirimtare të UÇK-së. Kjo nuk e barazon aktakuzën ndaj Shehollit me proceset pranë Dhomave të Specializuara; kjo kërkon qartësi mbi origjinën, përcjelljen, kontekstin dhe përdorimin e materialeve që mund të sjellin pasoja politike, institucionale apo gjyqësore”.

Në njoftim bëhet e ditur se beteja për mbrojtjen e të vërtetës së UÇK-së nuk përfundoi më 12 qershor 1999.

“Ajo vazhdon kundër luftës hibride, propagandës dhe shtrembërimit të qëllimshëm të historisë mbi të cilën ngrihet ky shtet. Institucionet e drejtësisë dhe sigurisë duhet të ndjekin provat kudo që të çojnë. Kosova ka të drejtë të dijë kush punoi kundër saj, përmes cilave kanale dhe në interes të kujt”, thuhet ndër të tjera në njoftim.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër