Ministria e Mbrojtjes: 28 vatra në 24 orë, 4 aktive dhe 3 nën mbikëqyrje

Nga D V
488 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 27 gusht, Zhurnal.mk – Ministria e Mbrojtjes informoi sot se gjatë 24 orëve të fundit, nga ora 09:00 e datës 26 gusht deri në orën 09:00 të datës 27 gusht, janë raportuar 28 vatra zjarri, nga të cilat 4 mbeten aktive dhe 3 nën mbikëqyrje.

Në operacionet për shuarjen e zjarreve janë angazhuar gjithsej 330 forca operacionale dhe 35 automjete zjarrfikëse, ndërsa Forcat e Armatosura kanë mbështetur operacionet me 50 efektivë dhe një helikopter.

Vëmendja kryesore vijon të jetë në Qarkun Dibër, ku janë aktive dy vatra.

Në Qafë të Helmës, Bulqizë, vijon puna për shuarjen e zjarrit në një sipërfaqe me shkurre dhe pisha. Në terren janë angazhuar 23 forca operacionale dhe nuk raportohet rrezik për zonat e banuara.

Në Vajkal (Bulqizë) zjarri është përhapur në terren shkëmbor me shkurre dhe dëllinja. Në operacion janë angazhuar 32 forca, konkretisht 5 zjarrfikës, 2 punonjës të emergjencave civile dhe 25 punonjës bashkiakë.

Në Qarkun e Elbasanit vijojnë dy vatra. Në Malin e Dardhës (Librazhd) zjarri është izoluar dhe mbahet nën kontroll nga forcat në terren, ndërsa nuk paraqitet rrezik për banesat.

Në Malin e Qukësit (Përrenjas) vijon ndërhyrja për shuarjen e trungjeve dhe bimësisë së ulët brenda perimetrit të vatrës. Edhe në këtë zonë nuk raportohet rrezik për zonat e banuara.

Ndërkohë, vatra në malin e Polisit mbahet nën mbikëqyrje për të parandaluar çdo mundësi riaktivizimi.

Situata paraqitet e përmirësuar edhe në malin e Dajtit, ku reshjet e shiut të një dite më parë izoluan vatrat e zjarrit. Në operacionet e zhvilluara në këtë zonë u angazhuan 38 forca operacionale vendore dhe 50 efektivë të Forcave të Armatosura. Zona do të vijojë të mbahet nën mbikëqyrje për të shmangur çdo riaktivizim të mundshëm.

Gjithashtu, vatra në Qafë-Mugë (Fushë-Arrëz) është izoluar dhe po monitorohet nga strukturat përkatëse.

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile (AKMC) vijon monitorimin e pandërprerë të situatës në të gjithë territorin, në koordinim me prefekturat, bashkitë dhe strukturat e sistemit të Mbrojtjes Civile.

Kapacitetet operacionale vijojnë të jenë të angazhuara në terren dhe në gatishmëri për ndërhyrje aty ku situata e kërkon, me prioritet mbrojtjen e jetës, banesave dhe pasurisë së qytetarëve.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër